Çeku: Shkeljet në buxhet, dëmi 7 mln euro
TIRANE- Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku raportoi dje para deputetëve në seancë plenare, se shkeljet administrative i kanë shkaktuar buxhetit të vitit 2007 një dëm prej 876.2 milionë lekësh. Sipas tij, problem për vitin që lamë pas ka qenë borxhi tatimor dhe ai doganor, i cili arrin në vlerën e 58.2 miliardë lekëve. Duke iu referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, 79 % e borxhi vjen nga tatimet. Çeku vëren gjithashtu se në 63 për qind e tenderave që janë zhvilluar në vitin 2007, janë konstatuar shkelje. Në mënyrë të veçantë, gjatë fjalës së tij kreu i KLSH-së u ndal edhe në abuzimet me tenderat e ilaçeve, duke theksuar se Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të madh ekonomik, që përllogaritet në rreth 760 milionë lekë. KLSH-ja ka konstatuar se skema e abuzimit ka qenë rritja fiktive e numrit të recetave të rimbursueshme të pensionistëve. Sipas evidencës së ISKSH-së, rezulton se për vitin 2007, numri i kësaj kategori është 524.880 vetë, ndërsa sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, numri i pensionistëve rezulton 423.603 persona. Pra, ISKSH-ja ka raportuar 101.277 pensionistë më tepër, duke ndikuar për pasojë në rritjen e stisur të numrit të recetave të rimbursueshme, që për këtë kategori bëhet në masën 100 për qind.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)