E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelen procedurat e aplikimit për kualifikimet jshtë vendit

06/01/2011  Financimi i studimeve nga shteti nëpërmjet programit të “Fondit të Ekselencës” për vitin akademik 2011-2011

Çelen procedurat e pranimit për kandidatët që duan të vijojnë studimet e larta të nivelit master, doktoraturë apo postdoktoraturë jashtë vendit me financimet e shtetit. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se duke filluar nga dita e djeshme kandidatët që duan të përfshihen në këtë program duhet të dorëzojnë dosjen me dokumentet e kërkuara. Procedurat e aplikimit për vitin akademik 2011–2012 përcaktojnë se afati i pranimit të dokumenteve individuale do të jetë deri në fund të muajit mars. Përzgjedhja dhe aplikimi për pranimet në universitet e huaja do të bëhet në mënyrë individuale. Kandidatët që do të kualifikohen më tej pranë këtyre strukturave mund të aplikojnë për të marrë mbështetjen financiare nga shteti shqiptar. Fondi i veçantë i financuar nga buxheti i shtetit arrin në masën 100 milionë lekë në vit, ndërkohë që do të mbështet edhe nga donacione.

Bursat

Bursat që do të jepen në këtë rast klasifikohen në disa kategori, ku përfshihen bursa të posaçme për studentë që bëjnë studimet e doktoratës, bursa të posaçme për studentë që do të ndjekin studime "Bachelor" ose "Master" në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës, si dhe ata që janë pranuar e kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike, teknologji informacioni, matematikë, fizikë dhe bioteknologji në universitetet tona dhe ato të huaja. Po ashtu jepen bursa edhe të posaçme për shkencëtarë të rinj, që duan të bëjnë studimet e postdoktoratës jashtë shtetit, çmime dhe shpërblime për studentë fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare, mbështetje financiare për botime shkencore në nivel të lartë shkencor, të vlerësuara edhe jashtë vendit. Të drejtën e aplikimit në këtë program e kanë edhe kandidatët që do tw ndjekin studimet e doktoratës jashtë shtetit pasi kanë përfunduar ciklin e parë e të dytë të studimeve kur kanë arritur notë mesatare mbi 9 për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës dhe mbi 9.5 për shkencat ekonomike e shoqërore, ose përkatësisht mbi 8 për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës, dhe mbi 8.5 për shkencat ekonomike e shoqërore. Mund të përfitojnë edhe kandidatët që janë pranuar në një universitet të huaj për studimet e doktoratës apo të postdoktoratës, kanë përgatitur një projekt për kërkim gjatë studimeve të doktoratës apo postdoktoratës jashtë shtetit. Këta duhet të pranojnë të punojnë së paku tre vjet në Shqipëri pas përfundimit të studimeve të doktoratës apo postdoktoratës jashtë shtetit. Aplikuesit nuk duhet të jenë përfitues të asnjë burse tjetër, në të kundër përjashtohen nga programi.

Përzgjedhja

Kriteret për përzgjedhjen e shkollave të larta jashtë shtetit në raport me koston e kualifikimit, fushat parësore, numrin e bursave për secilën kategori, në varësi edhe të fondit të vënë në dispozicion për këtë qëllim, konsultohen me Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Por një ndër kushtet bazë që do të merret në seleksionimin e studentëve do të jetë edhe mesatarja, e cila për programe të caktuara duhet të jetë 8.5 e lartë dhe mbi 9 në programe të tjera. Përzgjedhja e kandidatëve bëhet para fillimit të çdo viti akademik nga komisione përzgjedhëse, të ngritura me urdhër të kreut të Ministrisë së Arsimit. Këto komisione kanë në përbëje profesorë të universiteteve, në varësi të fushës, si dhe një përfaqësues nga Ministria e Arsimit. Kur fondi i veçantë plotësohet edhe nga donacione, në komision merr pjesë edhe një përfaqësues i donatorëve. Përzgjedhja e kandidatëve bëhet sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Lista përfundimtare e kandidatëve të përzgjedhur dhe masa e bursës për secilin prej tyre miratohen nga ministri i Arsimit dhe Shkencës pasi kandidati të ketë nënshkruar deklaratën e miratuar nga ministri për punësim në Shqipëri.

Penalizimet

Studentët që ndërpresin studimet për më shumë se një muaj, përveç rasteve kur paraqesin raport mjekësor, humbin të drejtën e përfitimit të mëtejshëm të bursës së studimit. Studentët që nuk i japin të gjitha provimet apo e përfundojnë vitin me notë mesatare më të ulët se 8, nuk përfitojnë bursë në vitin pasardhës. Studentët dhe shkencëtarët e rinj që kanë përfituar bursë sipas këtij vendimi, kur pas përfundimit të studimeve refuzojnë të punojnë në Shqipëri, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e lidhur, detyrohen të kthejnë shumën e marrë në formë burse.

Dokumentet

Dosja që duhet të paraqitet për studimet e doktoraturës:

Kërkesë e kandidatit.

Certifikatë lindjeje dhe familjare.

Kopje të pasaportës.

Vërtetim i qendrës së banimit.

Vërtetim i qendrës së punës (kur është në marrëdhënie pune).

CV e hollësishme në formë tabelare, ku të shpjegohet dhe dokumentohet ecuria profesionale e kandidatit.

Deklaratë e të ardhurave personale, e shoqëruar me vërtetimin përkatës.

Diplomë e noterizuar e studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku me aneksin e studimeve.

Vërtetimin ose letrën e pranimit, ku të përcaktohen supervizorët pritës të institucionit të arsimit të lartë ku do të bëhet regjistrimi

Deklaratën e udhëheqësit ose bashkudhëheqësit të institucionit të arsimit të lartë të huaj ku do të pranohet kandidati, si dhe llojet e shpenzimeve që universiteti pritës merr përsipër.

CV-ja dhe lista e botimeve të udhëheqësit ose bashkudhëheqësit të institucionit të arsimit të lartë të huaj.

Një parashikim i kostos së studimeve, ku të hartohet një buxhet i detajuar sipas të gjitha zërave, ku përfshihen shpenzime jetese, udhëtimi dhe kostoja e studimeve.

Deklaratë personale se nuk përfiton ndonjë bursë apo të ardhur tjetër nga shteti shqiptar.

Në rast bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe organizatave të tjera që do të ndihmojnë në pranimin e kandidatit, duhet të dorëzohet dokumenti vërtetues.

Projektideja e temës së doktoratës, ku të përcaktohet qartësisht objekti i studimit, metodologjia si dhe literatura kryesore që është ose do të përdoret.

Deklaratë noteriale, ku kandidati pranon të punojë në Shqipëri të paktën tre vjet pas përfundimit të studimeve.

Tri referime për cilësitë dhe nivelin e kandidatit. Referentët duhet të jenë persona që e njohin mirë kandidatin dhe kanë të paktën gradën “Doktor”.

Në këtë linjë operohet edhe me dosjen e dokumenteve që kërkohen për llojet e tjera të bursave, të cilat do të jenë të formatit specifik sipas llojit të studimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›