E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelen sportelet e emigracionit, ndërmjetëse për punësimin sezonal



Sportelet e emigracionit janë shpërndarë tashmë në të gjitha zyrat e punës në vend dhe kanë nisur informimin e qytetarëve mbi mundësinë e punësimit sezonal jashtë vendit. Burime nga Ministria e Punës bënë të ditur se ka filluar funksionimi në mbarë vendin, duke krijuar hapin e parë drejt menaxhimit të emigrantëve nga vetë ministria. Sportelet pritet që në periudhat e mëtejshme të funksionojnë si ndërmjetëse mes të papunëve dhe shteteve që kërkojnë emigrantë, për punësimin e tyre sezonal.

Sportelet

Burime nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta bënë të ditur për “standard” se punonjësit e këtyre sporteleve po ofrojnë informacion dhe këshillim për emigracionin e rregullt tek të gjithë të interesuarit. Projekti në fjalë është i parashikuar në strategjinë e emigrimit, ku zyrat e emigracionit shihen si një institucion i dhënies së informimit sa më të shpejtë për kandidatët-emigrantë.

Ministria e Punës ka kontakte të vazhdueshme me ambasadat dhe konsullatat shqiptare, të cilat e vendosin në dijeni mbi të gjitha projektet e pranimit të emigrantëve të rinj, kryesisht sezonalë në këto vende. Në këtë mënyrë, informacioni i dhënë nga zyrat e emigracionit, por edhe mundësia e kthimit të këtyre zyrave nga sportele këshillimi, në sportele aplikimi, nuk është e pamundur.

Hapja e sporteleve të emigracionit pranë drejtorive të punësimit duket se është hapi i parë drejt integrimit të këtyre elementëve, që nga njëra anë do të mundësonte uljen e nivelit të varfërisë në vend e nga ana tjetër do të krijonte një situatë më të favorshme për emigrantët shqiptarë, të cilët tashmë do të jenë të përzgjedhur nga autoritetet shtetërore të vendit tonë.

Strategjia

Strategjia për emigracionin është miratuar një vit më parë nga Këshilli i Ministrave dhe parashikonte integrimin e formimit profesional, e punëkërkuesve të papunë dhe emigrantëve.

“Emigrimi ka një ndikim të madh në ekonominë e vendit dhe në tregun e punës. Shtypi dhe televizionet raportojnë vazhdimisht për problemet e emigrimit të parregullt; vështirësitë që hasin shqiptarët në marrjen e vizave për të hyrë në vendet e Bashkimit Evropian ndihen nga të gjithë. Megjithatë, emigracioni ka edhe disa avantazhe. Në qoftë se menaxhohet siç duhet, ai mund të përdoret si mjet për zhvillimin e vendit”, – ky është thelbi i emigracionit, sipas strategjisë.

Sportelet e emigracionit janë hapur pranë Drejtorive Rajonale të Punësimit në të gjitha qendrat kryesore urbane të vendit: Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Pogradec dhe Sarandë. Zyra të tilla janë çelur edhe në Kosovë, Maqedoni, Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci, në Republikën e Malit të Zi dhe në Republikën e Serbisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›