Shembet galeria, bllokohet një minator brenda
Një minator ka mbetur i bllokuar brenda një galerie kromi në Bulqizë, ndërsa shoku i tij ka shpëtuar pasi miniera është shembur. Ngjarja ndodhi pasditen e ditës së djeshme, kur galeria është shembur dhe ka bllokuar dy minatorët, të cilët po punonin për nxjerrjen e kromit. Sipas burimeve nga vendngjarja, minatori i bllokuar quhet Arjan Duva, ndërsa shoku i tij, Astrit Kuka ka mundur të dalë nga galeria me ndihmën e kolegëve. Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për shpëtimin e Duvës. Galeria administrohej nga një firmë e palicencuar, emri i së cilës nuk bëhet i ditur. Mësohet se firma i kishte nxjerrë minatorët në punë të dielën, jashtë rregullores së funksionimit të galerisë. Minatori i cili ka arritur që të dalë është dërguar menjëherë në spital, me dëmtime në trup, por pa rrezik për jetën. Ndërkohë që po punohet për nxjerrjen e minatorit tjetër, i cili ndodhet brenda në galeri.