Diplomat, studentët kërcënojnë me bojkot
Studentët e gazetarisë kanë planifikuar sot në mesditë një protestë përpara Ministrisë së Arsimit, ku do të kërkojnë riformatimin e diplomave, të cilat, sipas tyre, i përngjajnë një certifikate. Ata kanë kërkuar takim me ministrin e Arsimit, z. Fatos Beja dhe nëse nuk gjendet zgjidhje, do të protestojnë përpara ministrisë. Studentët bëjnë të ditur se do të shkojnë deri në bojkotimin e mësimit, në rast se nuk plotësohet kërkesa e tyre.
Protesta
Protesta e organizuar nga studentët e departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës do të mbahet në orën 12 përpara ministrisë dhe pritet të ketë mbështetjen edhe të shoqatave të gazetarisë. Për më tepër, në protestë do të gjenden edhe përfaqësues të Këshillit Studentor dhe të departamenteve të tjera të Universitetit të Tiranës.
Protesta është paralajmëruar prej ditës së premte, ku studentët u mblodhën përpara rektoratit të Universitetit të Tiranës, për të parashtruar kërkesat e tyre. Ata janë takuar me rektorin e universitetit, prof. dr. Dhori Kule, i cili është shprehur dakord në parim për kërkesat e tyre, por ka deklaruar se i përket Ministrisë së Arsimit që të zgjidhë problemin.
Në krah të studentëve u atashua edhe Unioni i Gazetarëve. Kryetari i unionit, Aleksandër Çipa, deklaroi se studentët duhet të pajisen me një diplomë serioze, që të ketë vlerë në tregun e punës. Ndërkohë, studentët janë shprehur se diploma e përgatitur nga Ministria e Arsimit është në formatin e një certifikate dhe nuk është serioze.
Debati
Debati mbi diplomat ka nisur në dhjetor, kur pas disa muajsh vonese, studentët u pajisën me diplomat e nivelit të parë. Në ndryshim nga vitet e kaluara, diplomat ishin ndryshuar, në format A4, pra një fletë e zakonshme. Studentët e gazetarisë nuk pranuan të merrnin diplomën, duke u ankuar në rektoratin e Universitetit të Tiranës e më pas në ministri, që modeloi këtë diplomë.
Zëvendësministrja e Arsimit, znj. Adriana Gjonaj, u shpreh gjatë takimit me studentët se propozimi ishte i Universitetit të Tiranës dhe se kjo formë e emërtimit të diplomës krijon hapësira më të gjera punësimi për çdo të diplomuar në tregun e punës, në krahasim me modelin e mëparshëm me tituj profesionalë, por që nuk pranohet nga studentët. Ata shprehen se diploma e re është joserioze dhe pa elementë sigurie.
Studentët e gazetarisë kanë shpërndarë dje propozimin e bërë nga senati i Universitetit të Tiranës për formatin e diplomës, duke përgënjeshtruar Ministrinë e Arsimit. MASH deklaroi se kishte miratuar propozimin e senatit, por sipas formateve të bëra publike nga studentët, diçka e tillë nuk rezulton.
Diploma
Diploma është e shtypur në formatin A4, me ngjyrë të kaltër të lehtë. Stemat kryesore në të janë ajo e Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit, si dhe emblema e institucionit përkatës të arsimit të lartë. Në diplomë nuk sqarohet në asnjë vend se në cilin fakultet ka mbaruar studimet ky student. Përveç mungesës së fakultetit, në diplomë nuk cilësohet titulli që merr studenti me përfundimin e këtij cikli studimi.
Në diplomë gjithashtu jepet një emërtim i përgjithshëm, duke mos shpjeguar specifika të tjera, çka sipas studentëve është e papranueshme. Ata janë ankuar se kjo diplomë nuk është e vlefshme në tregun e punës dhe se ekziston konkurrencë e pandershme, pasi diplomat e gazetarisë të universiteteve private janë më serioze, me më shumë elemente sigurie dhe më të thithshme nga tregu i punës.
Shamku: Mungon kuadri ligjor për studentët që mbarojnë 3-vjeçarin
Kryetarja e Komisionit të Edukimit në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Ledi Shamku, tha dje se studentët që po protestojnë lidhur me diplomat po ndeshen me një shpërfillje irrituese të MASH-it, e për rrjedhojë të një shteti rrumpallë që arsimin s'e ka më në axhendë, e që i mbështjellë tashmë nga një injorancë e plotë, flet madje në emër të Kartës së Bolonjës. “Copat revoltuese të letrës që kjo ministri ka lëshuar, janë maja e ajsbergut e një papërgjegjshmërie të paparë, për të cilën prej 6 muajsh kemi kërkuar të merren masa urgjente. Masat nuk u morën kurrë dhe ky është motivi që "diplomat e 3-vjeçarit" s'guxon t'i firmosë askush”, - tha Shamku. Sipas saj, nuk i firmos, pasi nuk ka akte ligjore që rregullarizojnë statusin që do të kenë të diplomuarit, që nuk vijojnë studimin e thelluar 2-vjeçar. “Me ta janë larë duart, duke i lënë në mëshirë të fatit, a më troç, në mëshirë të një mashtrimi të madh. Dhe është fillimi, pasi gazetaria ishte dega eksperimentale ku gjoja u aplikua Karta e Bolonjës; ky problem do të jetë me të gjithë studentët që mbarojnë nivelin e parë të studimeve. Kush mban përgjegjësi për këtë? Dhe ja si i marrin studentët tanë që studiojnë në Evropë këto diploma!”, - tha Shamku.