E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelësi i përgjigjeve të matematikës

12/06/2009  Publikohet skema e vlerësimit për 7 variantet e testeve të plotësuara dje nga maturantët

Shpërndahen sot në qendrat e rretheve testet e plotësuara, ku do të nisë dhe korrigjimi i tyre

Mbyllet sipari i provimeve të detyruara për Maturën Shtetërore 2009. Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar provimi i matematikës, në të cilin kanë marrë pjesë rreth 38 mijë maturantë në të gjithë vendin. Ashtu siç ishte deklaruar, provimi përmbante 25 pyetje të kombinuara ndërmjet atyre me zhvillim dhe alternativa, për të cilat një maturantë duhet të grumbullojë 50 pikë për të arritur vlerësimin maksimal (nota 10). Menjëherë pas përfundimit të kohës së provimit ka iniciuar grumbullimi i testeve të plotësuara në qendrën e vlerësimit të kryeqytetit pranë shkollës "Sabaudin Gabrani" dhe sipas një përzgjedhjeje të rastësishme do të shpërndahen gjatë ditës së sotme në tri qendrat e tjera të korrigjimit, që janë ngritur përkatësisht në Elbasan, Shkodër dhe Fier, ku pritet të nisë procesi i korrigjimit, sipas skemës tashmë të përcaktuar nga hartuesit e testeve. Godinat ku për 1 javë me radhë vlerësuesit e përzgjedhur do të korrigjojnë një e nga një testet e matematikës, do të ruhen nga forca të rrepta të policisë. “Drejtoritë arsimore rajonale në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Fier kanë marrë masa për lirimin e mjediseve të korrigjimit në godinat e sipërpërmendura dhe për ruajtjen e tyre me shërbim 24-orësh me polici ose rojë civile gjatë periudhës së korrigjimit të provimeve”, - pohohet nga burimet zyrtare të Ministrisë së Arsimit. Publikimi i rezultateve të arritura sipas afateve të përcaktuara në rregulloren e provimeve pritet të bëhet pas 10 dhe ose 12 ditësh. Korrigjimi i testeve edhe për matematikën do të bazohet në një skemë unike, ku për çdo përgjigje të dhënë, qoftë e plotë, qoftë e pjesshme, do të ketë pikët përkatëse nga totali i përcaktuar. Gjithashtu është përcaktuar që pyetjet e plotësuara gabim ose për rastet kur nuk është dhënë fare përgjigje, nuk do të ketë penalizim me zbritje të pikëve, por vetëm vlerësim me zero pikë. Tashmë maturantëve u ka mbetur beteja e fundit, që cilësohet më e rëndësishmja për pranimet në universitetet, që është provimi i lëndëve me zgjedhje më 10 korrik. Për këtë vit Ministria e Arsimit ka menduar që plotësimin e formularit A-2, ku listohen dhjetë degët e universiteteve, ku maturantët duan të studiojnë ta plotësojnë pasi të kenë dalë rezultatet e provimeve të detyruara. Kjo në mënyrë që vetë kandidatët paraprakisht të kenë mundësinë që të hartojnë dhe një skemë pikësh sesa mund të grumbullojnë për çdo program studimi, për të parë se ku kanë më shumë probabilitet për të fituar.

Zgjedhja e degëve fituese

“Plotësimi i formularit të preferencave duhet të nisë në mbyllje të muajit qershor, kohë në të cilën do të jenë publikuar edhe rezultatet e arritura nga secili kandidat në dy provimet e detyruara, që do të jepen në fillim të këtij muaji. Duke pasur këto rezultate, duke ditur edhe koeficientet e llojit të degës dhe ato të shkollës së mesme, me formulën e gatshme të llogaritjes së komponentëve të maturës çdo kandidat do të mund të përcaktojë vetë pikët që mund të mbledhë. Këto pikë mund t’i krahasojë dhe me pikët minimale për çdo program studimi të vitit të shkuar. Bazuar në këtë krahasim, vetë maturanti do të mund të identifikojë se në cilën degë rezultatet e tij janë më afër kuotës së përcaktuar për t’u pranuar, çka e bën më të lehtë mundësinë e renditjes së atyre programeve që e bëjnë fitues sipas rendit përkatës. Megjithatë, në kohën e plotësimit të formularëve në shkolla do të shpërndahen persona ekspertë, që do të orientojnë maturantët në plotësimin e duhur si dhe në shmangien e gabimeve që mund t’i skualifikojnë ata.”

*Tabela e plotë në faqet e "Metropol"

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›