E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelet ekspozita me portrete të humanistes shqiptare

Kuvendi i Kosovës/ Nën kujdesin e kryeparlamentares shqiptare, Jozefina Topalli


Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, nën kujdesin e veçantë të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është hapur dje ekspozita e piktorit Gjovalin Paci, me piktura portretesh të kësaj humanisteje të madhe shqiptare. Duke e hapur ekspozitën, në emër të kryetarit të Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, anëtari i Kryesisë, Ibrahim Gashi, tha se kjo ekspozitë shpreh një formë të bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërkaq, iu bëri thirrje të gjithë të interesuarve, përfshirë edhe qytetarët, që ta vizitojnë atë. Autori i ekspozitës, Gjovalin Paci, theksoi se ideja për organizimin e saj daton që nga viti 2006, e mbartur nëpër kohë që nga vizita e Nënë Terezës në Shkodër në fillim të viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar. Sipas Pacit, kjo ekspozitë, e punuar në teknikën e akrilikut, përbëhet nga disa cikle, të cilat e pasqyrojnë Nënën Terezë në jetën e saj fëmijërore, në momentet përpara lidhjes së saj shpirtërore me humanizmin, si humaniste dhe pas vdekjes. Piktori Paçi theksoi se ekziston ideja që e njëjta ekspozitë të hapet edhe nëpër qendra të tjera të rëndësishme rajonale e evropiane. Përfaqësuesi i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Pjerin Kiri, ndërkaq, duke falënderuar stafin e Kuvendit të Kosovës për mbështetje, shfaqi besimin se kjo ekspozitë, edhe në Kuvendin e Kosovës do ta ketë suksesin që e ka arritur në Kuvendin e Shqipërisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›