"Truri" i 11/9: Më bëni martir
Khalid Sheikh Mohamed, personi që konsiderohet si truri i sulmit të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaroi se e mirëpriste fatin e tij "si martir", pas paralajmërimit të gjykatësve se e priste dënimi me vdekje. Që nga kapja në vitin 2003, kjo ishte dalja e parë në publik e "trurit" të aktit të madh terrorist. Sapo është futur në sallën e gjyqit, i akuzuari këndoi paraprakisht disa vargje të Kuranit, refuzoi mbrojtjen e avokatit të caktuar nga gjykata dhe tha se nuk kishte nevojë për të, pasi kishte ndërmend që ta përfaqësonte vetë veten në këtë gjyq. Para fillimit të seancës, gjykatësi e paralajmëroi se rrezikonte dënimin me vdekje për shkak të akuzave të ideimit dhe realizimit të sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington. Ndaj këtij paralajmërimi reagimi i të akuzuarit ishte: "Po, kjo është ajo që unë dua: të jem martir. Kjo është ajo që Zoti më kërkon mua dhe ju që të bëni". Mohamed dhe katër bashkëpunëtorët e tij rrezikojnë të gjithë dënimin me vdekje nën akuzën e hartimit të planit të sulmit nga i cili humbën jetën 2973 persona në Kullat Binjake, Pentagon dhe në Pensilvani. Nisja e gjykimit të këtij grupi përbën edhe një provë për Gjykatën Ushtarake. Ndërkohë Gjykata e Lartë do të marrë këtë muaj një vendim në lidhje me të drejtat e të burgosurve të Guantanamos, ndaj të cilëve thuhet se janë ngadalësuar ose penguar të gjitha procedurat e gjykimit. Gjykimi i të akuzuarit ka edhe një rrezik, atë të shndërrimit të tij në një propagandë për "Al Kaedën". Gjykatësi që drejton çështjen i kërkoi kamerave në sallë që të ndërprisnin filmimin e seancës për 20 sekonda, gjatë kohës për të ndaluar publikimin e disa informacioneve të klasifikuara. Asnjë nga të akuzuarit nuk kishte pranga, por të gjithë ishin të pajisur me një unazë që i mbante të lidhur këmbën me këmbën e karriges. Kjo unazë shtrëngohej dhe shkaktonte dhimbje në rast se të akuzuarit mund të silleshin jo konform rregullave të një salle gjyqi. I akuzuari kryesor Mohamed është marrë vazhdimisht në pyetje nga agjentët e CIA-s para se të transferohej në bazën e Guantanamos në vitin 2006. Mbrojtja e tij tha se klienti mund të ishte keqtrajtuar gjatë seancave të marrjes në pyetje, çka mund të përbënte një shkelje të ligjit nga ana e autoriteteve përkatëse amerikane. Procesi do të filmohet nga gazetarët në qark të mbyllur, por nuk do të lejohen fotografi. Për sa i përket burgut të Guantanamos, të dy kandidatët presidencialë janë zotuar që do ta mbyllin, brenda një kohe të shkurtër, pas marrjes së pushtetit.