E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelet sezoni turistik në Durrës

Është çelur në plazhin e Durrësit sezoni turistik për vitin 2009. Në këtë ceremoni merrte pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili ka çelur zyrtarisht sezonin turistik për këtë si dhe zyrtarë të tjerë të pushtetit vendor. Me këtë rast Bashkia e Durrësit kishte organizuar një sërë aktivitetesh në rërë dhe në det si dhe një program artistik. Sezonin turistik e deklaroi të hapur kryebashkiaku Dako, i cili në fjalën e tij deklaroi se turizmi është një prioritet i bashkisë që ka akorduar këtë vit dy herë më shumë fonde se vitin e kaluar për këtë sektor: “Turizmi mbetet prioriteti i bashkisë sonë dhe promotori i zhvillimit ekonomik, ndaj meriton vëmendjen e të gjitha palëve për të punuar sa më shumë për përmirësimin e infrastrukturës së këtij sektori kaq të rëndësishëm jo vetëm për Durrësin, por për të gjithë Shqipërinë. Ne si bashki jemi angazhuar që të kemi një sezon turistik të suksesshëm sa më pranë kërkesave të turistëve të shumtë, që pritet të vizitojnë qytetin tonë këtë verë. Punën tonë si bashki e lehtëson bashkëpunimi i ngushtë me partnerët tanë, që janë operatorët turistikë të iniciativës private dhe të gjithë sektorët e tjerë që i shërbejnë turizmit. Këtë sezon ne prezantojmë një infrastrukturë të përmirësuar ndjeshëm, si dhe një axhendë të pasur me aktivitete të shumëllojshme kulturore dhe artistike të niveleve kombëtare e ndërkombëtare. Ne ofrojmë vlerat kulturore e historike që u bashkohen vlerave më të mira të mikpritjes të qytetarisë durrsake. Ky realitet që ofron qyteti ynë, është bërë prezent në Perëndim nëpërmjet agjencive të ndryshme turistike që e kanë futur Durrësin në programet e tyre si dhe në itineraret e kroçerave. Këtë vit bashkia ka akorduar në buxhetin e saj dy herë më shumë fonde për turizmin se vitin e kaluar, në mënyrë që ky sektor të ketë një hov cilësor në zhvillimin e tij. Gjatë këtij sezoni, pushuesve vendas dhe atyre të huaj nuk u ofrojmë vetëm detin. Durrësi këtë vit do të shpalosë kulturën dhe vlerat historike të një prej qyteteve më antike të Ballkanit. Durrësi është zona më e rëndësishme e vendit për turizmin masiv dhe atë elitar. Përveç turizmit të banjave diellore, Durrësi ofron turizmin kulturor për shkak të trashëgimisë historike dhe kulturore që ka ky qytet. Krahas objekteve të shumta arkeologjike, qyteti i Durrësit ofron dhe shumë objekte të tjera historike dhe kulturore me rëndësi për t’u vizituar. Në tërësi qyteti i Durrësit përbën një ansambël shumë të rëndësishëm historik dhe kulturor të Shqipërisë. Tani turizmi në këtë qytet nuk është një perspektivë, por një realitet që preket çdo ditë. Rritja e turizmit do të jetë e drejtuar dhe e mbështetur nga një marketing i ndërgjegjshëm, nga një plan krijues i produkteve, nga një infrastrukturë e përshtatshme, nga burime njerëzore të cilësisë së lartë dhe nga një “klimë biznesi” e turizmit me rregulla të qarta loje dhe me struktura të përshtatshme për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë të saj”. Më pas, qindra të rinj e të reja, të pranishëm në këtë çelje të sezonit, kanë ndjekur programin e larmishëm artistik si dhe aktivitetet e shumta të organizuara nga bashkia në rërë dhe në det me këtë rast.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›