E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelet sipari i aktiviteteve për 100-vjetorin e Normales së Elbasanit

06/02/2009  Në teatrin “Skampa” organizohet takimi me tematikë “Në gjurmët e Normales Universitare”

ELBASAN-Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, i cili konsiderohet pasardhës i shkollës Normale ka nisur festimet e këtij viti jubilar që më 1 dhjetor mbush 100 vjet nga dita e parë e mësimit për përgatitjen e mësuesve që do të shërbenin më pas në të gjithë vendin. Në këtë kuadër në ambientet e teatrit “Skampa” ku kanë marrë pjesë përfaqësues të pushtetit lokal, profesorë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” mësues dhe ish-nxënës të shkollës Normale. Fakulteti i Shkencave të Edukimit në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në kuadër të 100-vjetorit të shkollës Normale kanë organizuar takimin me tematikë “Në gjurmë të Normales Universitare”. Dekani i Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Vilson Kuri, ka çelur këtë takim duke deklaruar se “rruga 100-vjeçare e kësaj shkolle është një nga kontributet më të rëndësishme të arsimtarëve elbasanas dhe të gjithë Shqipërisë”. Takimi është përcjellë edhe me këngë patriotike, interpretuar nga kori i shkollës së muzikës “Onufri” të qytetit të Elbasanit, si dhe me pjesë ku përshkruhet mjaft mirë iniciativa e patriotëve për hapjen e shkollës “Normale”. Rektori i Universitetit Liman Varoshi në përshëndetjen e tij në këtë aktivitet ka theksuar se ky organizim ngre siparin e fillimit të veprimtarive akademike në këtë vit jubilar, në 100-vjetorin e krijimit të Normales. Shkolla e parë Normale çeli dyert më 1 dhjetor të vitit 1909 menjëherë pas Kongresit të Elbasanit. Normalja përfaqësoi dinjitetin e kombit, rrezatoi dritën e diturisë shqiptare, kjo shkollë shënoi krijimin e sistemit të parë arsimor në Shqipëri. Hapja e kësaj shkolle pati jehonë brenda dhe jashtë vendit, dhe mbetet institucioni i parë për shumë dekada, për përgatitjen e mësuesve në mbarë hapësirën shqiptare. Universiteti i Elbasanit mban emrin e një prej drejtuesve të kësaj shkolle dhe një prej gjuhëtarëve të mëdhenj shqiptarë Aleksandër Xhuvani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›