Luani i Venecias shkon në Korenë e Jugut

Regjisori korean Kim Ki-duk
Regjisori koreano-jugor, Kim Ki-duk, është fituesi i Luanit të Artë në edicionin e 69-të të Festivalit të Filmit në Venecia me filmin Pieta. Një çmim që i ka kënaqur të gjithë, kështu e kanë komentuar mediat italiane mbylljen e edicionit të radhës së njërës prej ngjarjeve më të mëdha të kinematografisë botërore. Filmi i regjisorit koreano-jugor rezultoi më i duartrokituri në Festivalin e Venecias dhe ishte në krye të listës si një nga kandidatët më potencialë për të fituar Luanin e Artë, kështu që kjo fitore nuk çuditi askënd, madje është konsideruar si shumë e thjeshtë. Filmi i Kim Ki-duk është një lloj parabole mbi të mirën e të keqen, me një manifest që i referohet një prej kryeveprave të skulpturës botërore, Pieta-së së Mikelanxhelos. Një film ku manifestohet shumë dhunë dhe urrejtje. Në skenë dalin një i ri dhe një grua. Ai e fiton jetën duke bërë fajdexhiun, ndërsa ajo një ditë të bukur i zbulon se është e ëma. Sipas vetë regjisorit, filmi i tij kërkon të tregojë se si lakmia, paratë dhe suksesi shkatërrojë çka është e pastër dhe ngre mes njerëzve vetëm marrëdhënie të bazuara mbi urrejtjen dhe e çon botën dhe vetë njeriun drejt shkatërrimit. Për arenën e Venecias, Kim Ki-duk nuk është i panjohur. Në vitin 2004 ai ka merituar Luanin e Argjendtë në Venecia. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, kur është ngjitur në skenë për të tërhequr çmimin, regjisori koreano- jugor, për të shprehur falënderimin e tij, ka kënduar Arirag, një këngë tradicionale, që është edhe një lloj himni kombëtar jozyrtar i Koresë së Jugut. Veç Luanit të Artë, të tjerë Luanë u ndanë në ceremoninë mbyllëse të festivalit. Kështu: Luanin e Argjendtë për regjinë më të mirë e rrëmbeu Paul Thomas Anderson me The master, prej nga dolën njëkohësisht edhe aktorët më të mirë protagonistë, Philip Seymour Hoffman e Joaquin Phoenix. Çmimi special i jurisë i shkoi filmit të regjisorit austriak, Ulrich Seidl, Paradies: Glaube. Ndërsa aktoret më të mira u shpallën Hadas Yaron për Fill the void. Të tjera çmime u ndanë për skenarin më të mirë, kontributin teknik, fotografinë, aktorin e ri më të mirë etj. Sipas La Repubblica, një fill i kuq fetar i lidh tre nga filmat fitues të edicionit të 69-të të Festivalit të Venecias. Te Pieta, duke iu referuar skulpturës së famshme ku paraqitet Maria me Krishtin e vdekur në prehër, trajtohet tema e marrëdhënies mes nënës dhe birit, te The master, ajo mes mjeshtrit dhe dishepullit, kurse te Paradies: Glaube tregohet historia e një gruaje të fiksuar pas katolicizmit dhe Krishtit. Kjo koincidencë treshe mund të lexohet si simptomë e kohëve të vështira që po kalojmë, shkruan Claudia Morgoglione në La Repubblica.
Trofetë
-Luani i Artë- Pietà, nga Kim Ki-duk
-Luani i Argjendtë, për regjinë më të mirë: Paul Thomas Anderson për The Master
-Çmimi Special i jurisë: Paradies: Glaube, nga Ulrich Seidl
-Kupa Volpi për aktoren më të mirë: Hadas Yaron
-Kupa Volpi për aktorin më të mirë: Philip Seymour Hoffman e Joaquim Phoenix
-Luani i së ardhmes- Çmimi Venecia Luigi De Laurentiis: Kuf nga Ali Aydin
-Skenari më i mirë: Olivier Assayas për Après Mai
-Fotografia më e mirë: Daniele Ciprì për E stato il figlio
-Çmimi Marcello Mastroianni për aktorin e ri më të mirë: Fabrizio Falco
-Çmimi Horizont për filmin me metrazh të gjatë: Three sisters i Wang Bing
-Çmimi i madh i Jurisë për seksionin Horizonti: Tango Libre i Frédéric Fonteyne