Prençi-policisë: Respektoni ligjin gjatë zgjedhjeve
Kreu i policisë ka kërkuar nga të gjitha uniformat blu që të respektojnë ligjin dhe asgjë tjetër gjatë procesit zgjedhor. Ai është shprehur i prerë dje në Vlorë, në një takim me drejtorët e Policisë së Qarqeve Vlorë, Fier, Berat, Gjirokastër, Korçë, shefat e Rendit dhe Sigurisë Publike, shefat e komisariateve, si dhe me drejtorët rajonalë të kufirit. Qëllimi i takimit ishte dhënia e disa porosive nga ana e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit në lidhje me rolin e Policisë së Shtetit para, gjatë dhe në përfundim të procesit zgjedhor, si dhe për plan-veprimin e miratuar së fundi në lidhje me marrjen e masave për të parandaluar kultivimin e bimëve narkotike. Prençi është ndalur në rolin e policisë në zgjedhje, ku theksoi me forcë që policia të zbatojë vetëm ligjin dhe jo të bëhet palë me ndonjë subjekt politik. "Punonjësi i policisë, në rast se zbaton ligjin, të mos ketë frikë nga deklaratat politike. Ne jemi punonjës të shtetit dhe Kryeministri i Republikës ka përcjellë mesazhe të qarta për policinë. Çdo implikim i punonjësit të policisë në procesin zgjedhor do të jetë kthim mbrapa. Ne, si drejtues qendrorë, dhe ju, si drejtues në qarqe, do të monitorojmë çdo veprim të punonjësve të policisë dhe kushdo qoftë ai, punonjës që do të shkelë ligjin, do të ndëshkohet me masën më të rëndë disiplinore, deri në përjashtim nga radhët e Policisë së Shtetit. Ju kërkoj që të angazhoheni më tepër në këtë drejtim me qëllim, që policia të tregojë vlera të zbatimit të ligjit, sikundër edhe në zgjedhjet e fundit", theksoi drejtori i përgjithshëm.