E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarizohet kërkesa për komisionin hetimor "Rama 2"

Deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferri, bëri dje të ditur se grupi parlamentar i PD-së ka zyrtarizuar kërkesën për komisionin e dytë hetimor parlamentar për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Qëllimi i ngritjes së komisionit, sipas Xhaferrit, do të jetë hetimi i lejeve të ndërtimit të miratuara nga Këshilli i Rregullimit të Territorit më 22 mars 2009. Për demokratët, objekti i hetimit është mjaft i qartë dhe vërtetohen lehtë shkeljet që ka kryer kreu i bashkisë së kryeqytetit, ndaj nuk nevojitet ndonjë kohë e madhe në dispozicion. "Korrupsioni është aq i dukshëm, aq evident, sa tri javë mjaftojnë për ta nxjerrë Edi Ramën lakuriq përpara shqiptarëve dhe politikën e tij të re. Ne kemi akuzuar Fatos Nanon, se bëri disa prokurime të drejtpërdrejta dhe e quanim atë si një nga rastet më klasike të korrupsionit. Ky zotëria ka kaluar çdo masë, nga 30 leje ndërtimi, 19 të tentosh t‘ia japësh ish-shefit të Urbanistikës së Bashkisë së Tiranës dhe përfaqësuesit në KRT, e kuptoni që këtu nuk bëhet fjalë më as për korrupsion, as për konflikt interesash, as për monopole, kjo është mafie e pastër", insistoi Xhaferri. Në lidhje me pyetjen se kush do të jetë kryetar i këtij komisioni hetimor, Xhaferri nuk dha një përgjigje konkrete, por la të kuptohet se mund të jetë edhe ai në këtë post. Kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, u bë një javë më parë në seancën parlamentare të ditës së enjte, nga deputeti i PD-së Edi Paloka. Kërkesa u mbështet nga grupi parlamentar i PD-së, pasi dy ditë më parë, zëdhënësi i grupit Aldo Bumçi, deklaroi se hetimi do të niste shumë shpejt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›