Ferguson: “Dua trofeun e Ligës së Kampionëve”
Pengesa e menjëhershme e Aleks Fergusonit për të fituar dy tituj rresht të Ligës së Kampioneve përpara se ai të tërhiqet nga Mançester Junaitid si trajner quhet Porto dhe rekordi i saj në shtëpi kundër ekipeve angleze. Portugezët duket se e kanë në kontroll çerekfinalen pasi arritën të barazonin 2-2 në “Old Traford”, duke shënuar dy gola të rëndësishëm në transfertë. Përveç kësaj, asnjë ekip anglez nuk ka fituar kundër Portos në kompeticionet e mëdha europiane.
“Forma e tyre në shtëpi është qartësisht shumë i mirë, kështu nuk ka dyshim se do të jetë e vështirë për ne”, - tha mesfushori Pol Skolls. “Por ne kemi gjithçka për të fituar këtë ndeshje, dhe me me lojtarët që ne kemi, unë jam i sigurt se ne jemi të aftë për këtë”. Ferguson mendon se lojtarë të tillë si 34-vjeçari Skols mund të shijojnë akoma lavdi kontinentale me Junaitid. “Për shumë vite me radhë ne ishim të pafat, vite ku ne kemi qenë të pakënaqur, vite kur ne kemi hedhur poshtë ndeshje të tëra”, - tha Ferguson, i cili drejton në “Old Traford” nga viti 1986. “Kështu, nëse ju mund të fitoni një numër trofesh europianë, atëherë unë do të isha plotësisht te qetë”.
Rio Ferdinand u përfshi në skuadrën e Mançesterit në sfidën e rëndësishme kundër Portos, teksa trajneri Aleks Ferguson kërkon të ringjallë mbrojtjen e skuadrës angleze. Ferdinand mungoi në barazimin 2-2 në “Old Traford” për shkak të një dëmtimi, dhe tani pret të formojë dyshen e qëndrës së mbrojtjes së bashku edhe me Nemanja Vidiç.
ARSENAL – VILAREAL
Në pritje për të qenë fitues, janë edhe Arsenali ose Vilareali, të cilët barazuan një javë më parë 1-1 në Spanjë. “Topçinjtë” kanë avantazhin e golit në fushë kundërshtare, por me portierin Manuel Almunia e me mbrojtësin Gael Klishi, të dy të dëmtuar, e mm qendërmbrojtësin Uillaim Gallas, i cili duket se ka humbur pjesën tjetër të sezonit, duket se avantazhet e formacionit të Arsen Vengerit, nuk duken edhe aq të mëdha. Gjithsesi, kthimi i Robin van Persit dhe Eduardos i japin një siguri teknikut francez. Nga ana e tij, Vilareali ka humbur mesfushorin e rëndësishëm Marko Sena, por dhe lojtarin e Kombëtaren e Spanjës, Santi Kazorla. Përveç kësaj edhe mesfushorët Matias Fernandez e Ruben Garsia janë në dyshim për të luajtur nga minuta e parë.
Porto, pa trajnerin kundër “Djajve”
Trajneri i Portos, Jesualdo Ferreira nuk do ta drejtojë ekipin e tij në ndeshjen e kthimit kundër kampiones në fuqi të Europës, Mançester Junaitid, për shkak të sjelljes së tij në drejtim të një gjyqtari. Trupi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, tha se Ferreira nuk mund të kontaktojë lojtarët e tij përpara ose gjatë ndeshjes, apo të jetë në pistë. UEFA e pezulloi atë për dy ndeshje, për shkak të gjesteve të tij kundër arbitrit kur Portos iu anulua një gol gjatë ndeshjes kundër Atletikos së Madridit, më 24 shkurt. Porto apeloi vendimin dhe Ferreira u lejua të drejtonte ekipin e tij në ndeshjen e parë kundër Mançesterit, kur dy ekipet barazuan 2-2. UEFA e reduktoi dënimin në një ndeshje dhe kështu Ferreira do të mungojë në ndeshjen e kthimit kundër Mançesterit. Plus kësaj Porto u ndëshkuam edhe me një gjobë prej 33.200 dollarë, për shkak të këngëve fyese nga tifozët e saj në Madrid.
15 Prill 2009