E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi eliminon Napolin, Real kursehet me CSKA-në

Real Madrid dhe Çelsi janë dy skuadrat e fundit, që janë kualifikuar në tetë ekipet më të mira të Kupës së Kampioneve. Pas Milanit, Barcelonës, Marsejës, Bajernit, Apoelit dhe Benfikës, dje në mbrëmje janë mësuar edhe dy skuadrat e fundit, për të cilat do të hidhet nesër shorti i çerekfinaleve. Reali e pati fare të lehtë të eliminonte rusët e CSKA-së së Moskës, madje duke kursyer edhe disa gola. Spanjollët dominuan totalisht duke krijuar raste pa fund te porta e CSKA-së, por vetëm katër herë topi kaloi vijën fatale: në minutën e 26-të shënoi argjentinasi Higuain dhe në pjesën e dytë ishte Kristiano Ronaldo që fillimisht dyfishoi rezultatin, ndërsa në listën e golashënuesve u shënua edhe Benzema, i cili ishte futur në lojë vetëm një minutë para se të dërgonte topin në rrjetë për herë të parë. Francezi shënoi edhe në fund të takimit duke vulosur kualifikimin e “merengues”. Kujtojmë se ndeshja e parë në Moskë pat përfunduar 1-1, ndaj, pas fitores së djeshme, Reali vazhdon rrugëtimin drejt finales së “Alianc Arena”, ku do të zhvillohet sivjet edhe finalja e Championsit. Në ndeshjen tjetër, Çelsi i drejtuar tashmë nga Roberto di Mateo arriti të kualifikohej, por më së paku iu desh që të luante shtesat, pasi 90 minutat e rregullta përfunduan 3-1 për londinezët, po aq sa kishte përfunduar edhe ndeshja e parë në Napoli. Për Çelsin shënuan Drogba në pjesën e parë dhe Terri e Lampard në pjesën e dytë. Ndërsa golin e vetëm të Napolit e sigloi turku me pasaportë zvicerane, Gokhan Inler. Ky gol detyroi ekipet që të shkonin drejt minutave shtesë, ku më pas vendosi serbi Ivanoviç me golin e shënuar në minutën e fundit të shtesës së parë, duke kualifikuar kështu blutë e Londrës.

Mediat italiane kryqëzojnë Shnajderin
Kritika të ashpra nga media e shkruar për Interin, por mbi të gjitha për Shnajderin. Artikulli më i ashpër ishte ai i “Il Giornale”, ku lexohej: “I gjithë Interi ishte në gjendje gripale. Stankoviç u përlesh si një luan, por loja e tij nuk ndriçon më. Forlan ngjante edhe vetë si një top, ndërsa Shnajder dukej sikur të ishte më një këmbë druri. Çfarë kampioni, ai është vetëm një holandez, asgjë më shumë! Me atë, sigurisht që zikaltrit nuk do mundnin dot Marsejën, po të mos ishte për Militon dhe Pacinin. Shnaijderin, një fizik delikat ‘Svarovski’, duhet ta ruajmë se mos na kriset”, përfundon artikulli sarkastik. Dje, presidenti Morati ka pohuar se trajneri Klaudio Ranieri do qëndrojë, ndërsa do ketë shumë lëvizje në skuadër për sa u përket lojtarëve.

Doping/ UEFA kontroll Barçës, por jo Mesit
Rreth një vit më parë, Zhoze Murinjo hodhi hije dyshime mbi forcën fizike të Barcelonës dhe, që nga ajo kohe, kontrollet e dopingut nga UEFA kanë qenë të shpeshta dhe gjithnjë surprizë. Një gjë e tillë ndodhi edhe dje, kur inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare Anti-Doping kanë shkruar në qendrën stërvitore të klubit katalanas dhe kanë bërë analizat për plot dhjetë futbollistë, pikërisht: Tiago Alkanatara, Pedro Rodriguez, Sejdu Keita, Dani Alvesh, Havier Maskerano, Erik Abidal, Viktor Valdes, Zherad Piké, Karles Pujol dhe Isak Kuensa. Ajo që bie në sy dhe cilësohet si e çuditshme, është se ata nuk i kanë bërë kontroll Lionel Mesit, i cili ka qenë edhe futbollisti që ka bërë dukshëm diferencën kohët e fundit.

Real Madrid-CSKA M.    4-1
Shënues: Higuain 26′, K.Ronaldo 55′, Benzema 70′, 90′/ Tosiç 77′
K.të verdhë: Ksabi Alonso/ Çepçugov, Berezutski, Musa
Real Madrid: Kasijas, Arbeloa, Pepe, S.Ramos, Marcelo, Kedira, Ksabi Alonso, Ozil (L.Diarra 88′), Kaka (Granero 76′), K.Ronaldo, Higuain (Benzema 69′). Trajner: Mourinjo
CSKA Moskë: Çepçugov, A.Berezutski, V.Berezutski, Ignasheviç, Shenikov, Vernblom, Aldonin (Mamaev 46′), Musa (Oliseh 60′), Dzagoev, Tosiç (Nesid 81′), Doumbia. Trajner: Slutski

Çelsi-Napoli  4-1
Shënues: Drogba 29′, Terri 48′, Lampard 75′ (p), Ivanoviç 104′/ Inler 55′
K.të verdhë: Lampard, A.Kol/ P.Kanavaro, Desena, Inler, Kampanjaro
Çelsi: Çeh, Ivanoviç, David Luiz, Terri (Bosingva 98′), A.Kol, Lampard, Esien, Ramires, J.Mata (Malouda 95′), Starrixh (Torres 63′), Drogba. Trajner: Roberto di Mateo
Napoli: De Santis, Kampanjaro, Kanavaro, Aronika (Vargas 110′), Maxhio (Desena 37′), Inler, Gargano, Zuniga, Hamsik (Pandev 106′), Laveci, Kavani. Trajner: Valter Maxarri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›