Grabitësi i kazinosë dënohet me 3.8 vjet burg
TIRANE Gjykata e Tiranës dënoi me 3 vjet e 8 muaj burg një 35-vjeçar të akuzuar për vjedhjen me dhunë të një pike lotosh sportive në kryeqytet. Alban Dushku u deklarua fajtor për ngjarjen e shkurtit 2010 në zonën e Alliasit, ku nën kërcënimin e një kaçavide, ai i mori paratë e xhiros ditore punonjësit të lotos. Vendimi është shpallur pak ditë më parë nga një treshe gjyqtarësh të kryesuar nga gjyqtari Sokol Tona. I pandehuri Dushku u dënua me 5 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar në dënimin përfundimtar, ai përfitoi uljen e një të tretës së masës së dënimit. Sipas vendimit të Gjykatës, i pandehuri Dushku kishte vjedhur me dhunë një pikë lotoje, në të cilën ishte frekuentues i rregullt. Shtetasi T. M. ushtron një aktivitet tregtar në një qendër lotarie sportive pranë një lokali të ndodhur në rrugën Niko Avrami në kryeqytet. Në ushtrimin e aktivitetit të tij, ky shtetas ka punësuar shtetasin Arben M. Rezulton nga aktet se lokali i sipërcituar të jetë frekuentuar shpesh edhe prej të pandehurit Alban Dushku. Më datë 26 shkurt 2010, rreth orëve të mesnatës, në lokalin e sipërcituar, kur shtetasi Arben M. po kryente veprimet për mbylljen e lokalit dhe mbylljen e llogarive monetare, atij i afrohet i pandehuri. Duke përfituar nga fakti se në lokal në atë kohë nuk ndodheshin njerëz të tjerë, ai me anë të një kaçavide, të cilën e kishte me vete, duke kërcënuar në mënyrë agresive dhe të dhunshme shtetasin Arben M., ka mundur ti marrë atij shumën e të hollave të përfituara nga xhiroja ditore në masën 70 mijë lekë dhe më pas është larguar me vrap, rrëfehej ngjarja në vendimin e Gjykatës. Gjatë gjykimit, i pandehuri Dushku kishte pranuar vjedhjen duke u justifikuar se e ka qenë në gjendje të dehur. Gjykata administroi edhe vetë pohimet e të pandehurit, i cili, i pyetur në seancë gjyqësore rreth ngjarjes si me sipër, ai u shpreh i penduar, si edhe pohoi se një veprim të tillë e ka kryer nën efektet e alkoolit. Ai pranon akuzën, thuhej në vendim. ar.ba