
Çelsi ka arritur të mposhtë Barcelonën me rezultatin 1-0 me gol të Didier Drogba. Takimi u dominua nga blaugranët por fati dhe vendosja taktike e Çelsit e bënë të vështirë realizimin e golit.Barcelona ishte superiore në mbajtjen e topit 72 me 28 për qind, një shifër rekord për një takim gjysmëfinal, por ajo që ka më shumë rëndësi është rezultati final që flet në favor të bluve.Takimi u hap nga një rast i pastër nga Sançez në minutën e nëntë ku topi kaloi portierin Çeh por u ndal në tranvers. Ndeshja vazhdoi me dominimin e spanjolëlve ku Iniesta dhe Fabregas vunë në provë gadishmërinë e gjigandit Çeh të Çelsit.Mesi në minutën e 28 goditi nga vija e 16 metrave që u ndal përsëri nga portieri i Çelsit. Në fundin e pjesës së parë Eshli Kol bëhet shpëtimtar në Stamford Brixh kur largoi topin që po përfundonte në rrjetë. Momenti kulminant i ndeshjes erdhi në sekondat e fundit të kësaj pjese kur Ramires shpërthen nga krahu i majtë dhe dhuron një asist për Drogban që realizon në rastin e parë që i ofrohet.Barcelona vazhdoi dominimin në lojë edhe në pjesën e dytë me dy raste të pastra, por Sançez nuk ishte në ditën e tij kur përballë portierit e nxorri topi jashtë. Më pas takimi vazhdoi me sulme të vazhdueshme nga Barcelona por me një Çelsi të mirëvendosur në fushë e kishte të vështirë të kalonte “murin anglez.Rasti më i mirë ishte goditja me kokë e kapitenit Pujol por Çeh edhe një here u tregua i gatshëm duke mbrojtur një fitore të jashtëzakonshme nga Çelsi. Blutë ruajten ecurinë e jashtëzakonshme në stadiumin e tyre ku në 6 takime të zhvilluara ka fituar po 6. Rruga drejt Mynihut është e hapur për të katër skuadrat. Takimet e para gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve treguan se jo gjithmonë favoritët në letër fitojnë në fushë. Ndeshjet e dyta do të zhvillohen pas një jave por për Realin dhe Barçën ka një betejë përpara që quhet El Classico.Rozalb Lika/IDEA/