elsi mberrin ne Mynih per finalen me Bajernin

Do të jenë në shtëpi të huaj dhe jo në fushë neutrale, edhe pse ndarja e biletave është krejtësisht e barabartë. Lojtarët e Çelsit të Londrës mbërritën në Mynih, ku do të luajnë këtë të shtunë në orën 20:45, finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Bajernit vendas, në stadiumin e këtij të fundit, “Alianc Arena”.
Legjendat blu si Frenk Lampard me shokë do të synojnë të fitojnë Championsin e parë në karrierën e tyre dhe të parin në historinë e klubit, për të lënë pas zhgënjimin e finales së Moskës në vitin 2008 humbur me penallti ndaj Mançester Junajtid.
Lojtarët londinezë janë plot me besim, shenjë tipike kjo për një grup me përvojë, por edhe për futbollistët e një skuadre angleze, që gjithnjë janë shquar për forcë psikologjike.
Për një sulmues të shkëlqyer si Didie Drogba kjo mund të jetë ndeshja e fundit me fanelën e Çelsit, pasi ai mund të shkojë sezonin e ardhshëm në një skuadër tjetër, besohet në Kinë, edhe pse e kërkon edhe Barcelona.
Nuk dihet nëse trajneri Di Mateo do të hedhë në fushë Drogbanë apo Fernando Torresin, që të dy lojtarë të shkëlqyer, veçse në përballjet ndaj Barcelonës italiani vendosi gjithnjë në favor të afrikanit.
Vetë Di Mateo ka arritur jo pak me Çelsin, duke fituar Kupën e Anglisë dhe duke qenë në finalen e Championsit, ndërsa paraardhësi i tij Andre Vijas Boas nuk e pati një sukses të tillë. Porse, blutë dolën vetëm në vend të 6-të në kampionat dhe i duhet fitorja e kësaj finaleje që të marrin pjesë në Champions sezonin e ardhshëm.