E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi në formë dhe Roma në "krizë"

"Blutë" e Skolarit fituan 4-0 në ndeshjen e fundit të kampionatit, ndërsa italianët u shkatërruan nga Interi

Londinezët e Çelsit kanë një tjetër shans për të treguar stilin e tyre të lartë sonte, pasi presin italianët e Romës në "Stamford Bridge" për ndeshjen e Ligës së Kampionëve. Në këtë periudhë të shkurtër, që Luiz Felipe Skolari ka drejtuar londinezët, trajneri brazilian ka arritur diçka që paraardhësit e tij nuk e kanë bërë dot: të fitojë zemrat e neutralëve, të atyre që nuk janë detyrimisht tifozë të Çelsit. Ka perënduar koha e mentalitetit të rrethimit, të praktikuar nga Hose Murinjo në periudhën e suksesshme të drejtimit të klubit nga ana e tij. Po kështu edhe periudha e shkurtër, por e sertë, nën drejtimin e Avram Grantit, është vetëm një kujtim i zbehtë. Skolari është tashmë personifikimi i sharmit në futbollin anglez, që kur mori përsipër një nga bankinat më të nxehta të futbollit anglez. Ekipi i drejtuar prej tij gjendet në krye të renditjes në Premier Ligën angleze, duke shfaqur një lojë të bukur krahas efikasitetit. Fitorja 5 0 ndaj Midëllsbrout të shtunën e kaluar, e arritur me gjithë mungesat e shumta, ishte një dëshmi e klasit të lartë të lëvizjeve dhe pasimeve të sakta të lojtarëve londinezë, që mund të thuhet se i ka alarmuar jo pak kundërshtarët e Çelsit. Mesfushori Frenk Lampard, i cili shndërroi në gol një aksion të rrjedhshëm të londinezëve, u shpreh se kjo ndeshje ishte ndër më të bukurat për Çelsin në vitet e fundit, kurse kapiteni Xhon Teri pohoi se Skolari kishte sjellë në Londër një filozofi ndryshe nga paraardhësit e tij. "Në dy vitet e para, pas ardhjes së Murinjos, ne kishim një mentalitet të fortë, luanim ashpër për të marrë medoemos tri pikët, por pa pësuar gol, - u shpreh Teri për gazetën "Daily Telegraph". - Tani japim maksimumin për të shënuar edhe golin e dytë, si dhe për ta mbyllur ndeshjen sa më shpejt. Eshtë shumë zbavitëse dhe e këndshme të luash nën drejtimin e Skolarit," - përfundoi kapiteni Teri. Por Çelsi ka hasur edhe në vështirësi këtë sezon. E tillë ishte ndeshja e fundit në grup, kundër ekipit rumun të Klujit. Në ndeshjen e luajtur në Rumani, në kuadër të Grupit A, Çelsi nuk arriti të merrte më shumë se një barazim, edhe pse rumunët janë debutues në Ligën e Kampionëve. Por, duke qenë se Roma u mund nga Kluji, Çelsi mund të ketë në dorë të ardhmen e vet, nëse fiton ndaj italianëve, të cilët do të kërkojnë të këndellen pas një humbjeje dëshpëruese me rezultatin 4 0 nga Interi në Serie A, fundjavën që shkoi. Roma nuk ka kujtime të mira nga ndeshjet e zhvilluara në Angli. Çelsi mund të ketë sërish në portë Petër çekun, i cili nuk luajti kundër Midëllsbrout për shkak të një dëmtimi në gju, ndërkohë që edhe Xhoi Kol mund të luajë. Trajneri i Romës, Luçiano Spaletti, e ndien presionin e madh pas humbjes poshtëruese ndaj Interit, e cila ishte humbja e katërt në shtatë ndeshje të kampionatit italian për këtë sezon. Mbrojtja e dobët e Romës në ndeshjen ndaj Interit do të forcohet me ardhjen e mbrojtësve Filipe Mekses dhe Kristian Panuçi.

Liga e Kampionëve

Dje

Mançester – Selltik

Vilarreal – Alborg

Bajern Mynih – Fiorentina

Steaua – Lion

Porto – Dinamo Kiev

Fenerbahçe – Arsenal

Zenit – Bate Borisov

Juventus – Real Madrid

Sot

Çelsi – Roma

Bordo – Kluj

Inter – Anorthosis

Panathinajkos – Verder

Bazel – Barcelona

Shahtjar – Sporting

Atletiko – Liverpul

PSV – Marsejë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›