Çelsi, ofertë “shok” për Paton
Ofertë “shok” e Çelsit: 80 milionë euro për Paton dhe Tiago Silvën. Trajneri Karlo Ançeloti tashmë një hap larg nga fitorja e Premier League në sezonin e tij të parë (ashtu si Mourinjo) i kërkoi miliarderit rus Roman Abramoviç për të blerë dy jashtë-klasë të Milani për të tentuar sulmin në Ligën e Kampioneve. Ish-trajneri i Milanit ka fituar gjithçka në Itali dhe tashmë është shumë afër trofeve edhe në Angli: është në finalen e Kupës së Anglisë kundër Portsmuthit (15 maj) dhe në vendin e parë në Premier League (para ndeshjes së fundit ka një pikë më shumë se Mançester Junaitid). Pasi ka blerë mbrojtësin rus Zhurkov dhe sulmuesin Starixh në verën e vitit 2009, Ançeloti përgatitet për listën e blerjeve të reja dhe buxheti për fushatën e ardhshme mund të jetë të paktën 100 milionë euro. Pato dhe Tiago Silva janë dy objektivat kryesorë, por tekniku mund të kërkojë edhe shërbimet e Kaka, pas një sezoni të komplikuar të brazilianit te Real Madrid. Ançeloti është tekniku i vetëm që e vlerësuar plotësisht atë.
Kamoranezi: “Lamtumirë Juventus!”
“Te Juventusi, cikli përfundoi. Në fund të sezonit do të takoj Seko dhe do të kërkojmë të arrijmë një marrëveshje për të gjetur një sistemim të ri që i përshtatet Mauros”. Kamoranezi, sipas menaxherit të tij, Serxhio, i thotë lamtumirë Juve. Zgjedhja është e lojtarit dhe nuk është fryt i ndonjë mosmarrëveshje midis mesfushorit dhe klubit. Menaxheri për Calcimercato.it: “Raportet janë të mira. Për momentin nuk flitet për emra skuadrash, por pas dhjetë ditësh kur të mbyllen thuajse të gjithë kampionatet do të kthehem në Europë dhe do të lëviz edhe unë për të parë nëse ka ndonjë zgjidhje të përshtatshme, për të mirën e Juventusit dhe të Mauros. Jemi duke folur për një lojtar që do të luajë në Botëror, dhe do të flasim për skuadra me nivel, përndryshe do të respektojmë kontratën me bardhezinjtë”.
Himni i Botërorit, Shakira nuk “ndez” në Afrikë
Kënga kushtuar Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”, e kënduar nga Shakira dhe grupi popullor afrikanojugor, “Band Freshly Ground”, apo ndryshe himni i Kupës së Botës, Waka Waka” (Koha për Afrikën) nuk është pëlqyer shumë nga njerëzit. Kënga u transmetua në radio, por ajo duket se nuk ka lënë mbresa të mira. Superylli Shakira nuk ka gjetur tonin e duhur me të cilën janë mësuar fansat afrikanojugorë. Himni është një muzikë e inspiruar nga muzika e Kamerunit. Shumë afrikanojugorë nuk janë të bindur se kolumbiania është personi i duhur, që ajo të prezantojë Kampionatin e parë Botëror në Afrikë, shkruan “Cape Times”.
Ndjekin miqësoren, vriten tre adoleshentë
Një një i panjohur hapi zjarr duke u dhënë goditje vdekjeprurëse tre meksikanëve të rinj
Tre tifozë të rinj midis moshës 14 dhe 17 vjeç u vranë në qytetin Huarez në Meksikë gjatë zhvillimit të një ndeshjeje miqësore. Huarez konsiderohet si qyteti më i rrezikshëm. Adoleshentët, 14, 15 dhe 17 vjeç, ishin duke ndjekur të dielën e kaluar në ndeshjen miqësore, kur një i panjohur hap zjarr duke dhënë goditje vdekjeprurëse. Në rajonin me kufi me shtetin amerikan të Teksasit, nga fillimi i vitit janë vrarë mbi 850 persona. Arsyeja kryesore është konflikti midis karteleve të drogës për të kontrolluar hyrjen e saj në tregun e Shteteve të Bashkuara.
Miqësore U-19, Shqipëri –Mali i Zi 3-2
Pjesa e parë përfundoi 2-0 për malazezët. Për Shqipërinë shënuan Shtini, Shkurtaj dhe Rrapaj
Shqipëria U-19 ia doli të përmbysë dizavantazhin prej dy golash të pjesës së parë, duke e fituar 3-2 miqësoren me Malin e Zi, në takimin e zhvilluar në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Malazezët shënuan dy gola brenda 30 minutave të para (Mugosha dhe Vuoniç), ndërsa përmbysja për formacionin e Ramadan Shehut erdhi në fraksionin e dytë të ndeshjes (Shtini, Shkurtaj dhe Rrapaj). Miqësorja e dytë me Malin e Zi do të luhet të enjten, më 6 maj (16:00), në Podgoricë.
Vllaznia: “Thesi” është hapur!
Klubi i futbollit Vllaznia i bën thirrje Bashkisë Shkodër, të gjithë biznesmenëve dhe donatorëve të ndryshëm për të kontribuar financiare, me aq mundësi sa kanë, për ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë, për rritjen e premios së ekipit dhe udhëtimin e tifozëve drejt Tiranës. Ndihma e tyre financiare mund të derdhet në arkën e klubit ku çdo ditë është caktuar një person nga ora 08.00 deri në orën 15.00 çdo dite për të pritur ata që do kontribuojnë dhe emrat e tyre do bëhen publik në media.
Thirrja jonë është për të ndihmuar sepse së bashku mund ta bëjmë edhe më të bukur festën e fitimit të Kupës së Shqipërisë. Klubi i futbollit Vllaznia
5 Maj 2010