Policia bllokon tubimin e të rinjve të Partisë Socialiste
SHKODËR - Policia e Shkodrës ka bllokuar mesditën e djeshme një protestë në aktivistëve të FRESSH-it. Burime nga policia lokale thanë gjatë ditës së djeshme se rreth orës 14:20, në hyrje të qytetit Shkodër, pikërisht te Ura e Bahçallëkut, një grup prej 15-20 personash, simpatizantë të Partisë Socialiste, janë mbledhur për të protestuar duke bllokuar për disa minuta qarkullimin e rrugës nacionale. Por, Komisariati i Policisë Shkodër nuk kishte marrë asnjë njoftim për këtë tubim, thanë burimet zyrtare. Pas bllokimit të rrugës, efektivët blu kanë mbërritur në vendin ku ishte duke u zhvilluar tubimi, duke bërë të mundur zhbllokimin e rrugës nacionale. Po gjatë kësaj kohe, policia ka shoqëruar në komisariat tre persona, mes të cilëve dhe kreun lokal të Forumit Rinor të Partisë Socialiste. “Në lidhje me këtë tubim janë shoqëruar nga Komisariati i Policisë Shkodër tre shtetas, të cilët janë marrë në pyetje nga shërbimet e Policisë Gjyqësore në lidhje me organizimin e këtij tubimi të kundërligjshëm”, - thanë pasditen e djeshme burimet zyrtare. Sipas tyre, për personat organizatorë të këtij tubimi, nga ana e policisë janë kryer veprimet procedurale për veprat penale të parashikuara nga neni 262 për “organizimin dhe manifestimin e paligjshëm” dhe neni 293 për “bllokim të rrugëve nacionale”. Policia tha se veprimet kanë qenë korrekte dhe të mbështetura në kërkesat e ligjit.
5 Maj 2010