E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skenderbeu fshin Flamurtarin

Nuk ka më asnjë dyshim. Në Korçë fiton futbolli dhe ashtu siç është konfirmuar edhe në këtë sezon fiton gjithmonë Skënderbeu.

Kampionët në fuqi triumfuan me shifrat 3-1 në ndeshjen e prapambetur të javës së 10 me Flamurtarin, duke dhënë një tjetër provë force.

Në përballjen e shumëpritur me rivalët nga Vlora, skuadra e Mirel Josës ka treguar përse kryeson kampionatin dhe cilësohet si skuadra më e mirë në vend.

As goli i shënuar nga Gjergji Muzaka pas tetë minutave lojë, që ishte rrjeta e parë e pësuar në shtëpi nuk shërbeu për të frenuar marshimin e korçarëve.

I zakonshmi Pero Pejiç ka udhëhequr skuadrën drejt një fitore me vlera të shumëfishta. Në të 17-ën, kroati ka barazuar shifrat, me një gol në pozicion të dyshimtë jashtë loje, por i cilësuar si i rregullt nga gjyqtari Bardhyl Pashaji.

Rrjeta vetëm sa i ka dhënë më shumë siguri Skënderbeut, që ka kontrolluar takimin dhe ka krijuar volum më të madh loje e raste të shumta për shënim.

Gjithçka është mbyllur në pjesën e dytë, kur fillimisht Plaku kaloi në avantazh vendasit: sulmuesi fiton duelin me Veliun dhe e dërgon topin në rrjetë.

Ndërkohë, goli që vulosi fitoren 3-1 u shënua sërish nga Pejiç 9 minuta më vonë, pas një tjetër gabimi të mbrojtjes dhe portierit të Flamurtarit Koliçi.

Me këtë fitore, Skënderbeu ngjitet në kuotën e 27 pikëve në Superligë pas 11 javëve të luajtura dhe ka nisur arratisjen drejt titullit të tretë radhazi. Teuta e vendit të dytë ka 7 pikë më pak, ndërsa për Flamurtarin mbyllet këtu ecuria me fitore radhazi dhe vlonjatët mbeten në vendin e tetë të tabelës me 15 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›