E Shtunë, 31 Tetor 2026

ëndrrat e Nafijes dhe të tjerëve në Ditën e Shkopit të Bardhë

Shoqata e të Verbërve në Kukës numëron rreth 90 anëtarë të cilët, të ndarë në dy grupe sipas klasifikimit mjekësor, përbëjnë një nga grupet më të rriskuar të shoqërisë. Së pari, nga indiferenca e strukturave dhe së dyti, nga moszbatimi i statusit të tyre. Në Ditën Botërore të Shkopit të Bardhë, që ka mbetur simbol i personit të verbër që nga vitet 60 të shekullit të shkuar, askush nuk është kujtuar për këtë kategori. As ata vetë. Në qytetin e Kukësit kjo shoqatë ka një zyrë ku anëtarë të ndryshëm takohen dhe flasin për hallet e tyre. Aty gjejmë nënkryetaren, Nafijen, e cila thotë se 15 tetori, të qenit dita ndërkombëtare e tyre, nuk ndryshon asgjë nga ditët e tjera, "kam dëgjuar se ekzistojnë një numër forumesh që merren me grupe vulnerabël si puna jonë, por ne nuk i shohim", thotë ajo. Nafija është e verbër e grupit të parë dhe shoqërohet me Xhaviten, një vajzë e grupit të dytë me status të verbëri. Kata dhe të tjera takohen rrallë, sepse njerëzit që i shoqërojnë kanë punë, ata dalin vetëm të shoqëruar, sepse në një qytet jo shumë të sistemuar dhe me trafik të çrregullt as që mund të flitet për shkopin e bardhë. Fatet e këtyre personave janë të ndryshme, por i bashkon grija e syve, i bashkon mungesa e dritës së ditës. Kur i njeh nga afër këta njerëz, vëren se mungesa e dritës kompensohet me një dritë tjerë, me atë të shpirtit, dritë e cila te shumë njerëz të tjerë që shohin normal, mungon.

Është 44 vjeçe dhe jeton në shtëpi me babain dhe familjen e njërit prej vëllezërve. Mendimi se mos të tjerët e trajtojnë si invalide e shtyn të bëjë ndonjë punë, por siç tregon ajo, ndaj saj secili ka një dashamirësi konstante. Ajo thotë se ka lindur e tillë, pa dritën e syve, ndoshta nëna e vet, gjatë barrës apo në lindje do të ketë pasur ndonjë problem, por nuk i njeh ngjyrat, nuk i njeh hijet e objekteve, nuk i njeh gjithashtu përmasat e ndërtesave apo të ngrehinave të tjera dhe po ashtu edhe malet apo relievin në tërësi. "E di që bota paraqet përmasa dhe ngjyra fantastike, por nuk i njoh, dalloj vetëm ditën nga nata, dita është një njollë gri, ndërsa nata është pa njollë", thotë Nafija për shqisat e syve dhe të kujton me këtë rast edhe disa prej shprehjeve popullore që kanë ndërtuar me shekuj njerëzit për sytë, për të treguar se sa të rëndësishëm që janë. "Njerëzit bëjnë be për sytë e ballit, me sytë e ballit nuk ka", thotë Nafija. Por ajo ka një gjë aq shumë të rëndësishme për të cilën bën be, ajo bën bë për zërin. "Me zërin i njoh njerëzit, vetëm një herë ta dëgjoj një njeri dhe e mbaj mend gjithmonë, e njoh edhe pas shumë vitesh, prandaj unë bëj be ‘për zërin‘, se zëri është përmasa dhe elementi njohës i botës për mua", thotë ajo me shaka.

Në vitin 2001, Nafija ka udhëtuar në Gjermani për një operacion për dritën e syve, por nga ai udhëtim mban mend thjesht vuajtjet e patreguara, siç thotë, për nxjerrjen e vizës, me përpjekjet personale të vëllait të saj që jeton atje si refugjat. Dhe përsëri tregon se nuk heq dorë nga ideja se po të operohet mund ta fitojë dritën e syve.

Nafija ka kryer shkollën fillore në kohën e vet me nota shumë të mira dhe mban mend shkrimin edhe sot. Në atë kohë asaj i shfaqet një dhimbje koke, siç thotë, dhe e ndërpret shkollën. Ky moment shënon edhe zbehjen e mundësisë ndryshe që mund t‘i ofronte jeta kësaj vajze, sot 44 vjeçe, të cilës kur i flet për shkollën i mbushen sytë me lot. "Nëse dikush më ruan drejtimin e rreshtave sot di të shkruaj", thotë me nostalgji dhe shton se i mbetet peng përse nuk e dërguan në një shkollë të specializuar në Tiranë, ku ka dëgjuar se ekziston një e tillë. Që nga koha e klasës së katërt ajo mban mend përmbajtjen e disa mësimeve mbi natyrën dhe shoqërinë, njohuri të cilat, për shkak të mospërdorimit janë shpërndarë në skuta të panjohura dhe shndërruar në gri. Shkolla mbetet për të si një ëndërr e jetuar nga të tjerë...

Dashuria për të ka qenë dhe mbetet një realitet i panjohur. "Mollë e ndaluar, nuk e njoh, dhe as kam pasur ndonjë lidhje kurrë, në kohën e pjekurisë më kanë kërkuar për nuse disa herë djem normalë të moshës së saj të familjeve të mira, por babai nuk pranoi, ç‘është e drejta më pat pyetur, por më vinte turp me u prononcu për një gjë të tillë, por nuk jam pishman. Sepse nuk e njoh. Me ju të tjerët thonë se ngacmimi ndodh që kur e shikon personin me gjini tjetër, si kryqëzohen shikimet, si skuqet në fytyrë", thotë Nafija. Duke e kaluar bisedën përsëri te shoqërimi Nafija thotë se mund të shëtisë krejt qytetin edhe pa shoqërues, por asnjëherë nuk i dihet, "ndoshta ka edhe të verbër të tjerë në xhiro dhe me të cilët mund të përplasem", thotë Nafija në mënyrë metaforike. Tek bisedon me këtë vajzë 44 vjeçe kupton se drita buron nga bota e saj, por një dritë e brishtë, aq e brishtë sa mund ta këputë si një bisk të njomë indiferenca dhe mosvëmendja jonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›