E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masteri i nivelit të dytë, shtyhet afati i regjistrimit

Fakultet i Historisë dhe i Filologjisë ka shtyrë afatet për regjistrimin e kandidatëve të interesuar për ndjekjen e programit të studimit të masterit të nivelit të dytë.

Dekani i këtij fakulteti, Shezai Rrokaj, ka deklaruar se shkak për këtë shtyrje, është bërë fluksi i madh i kërkesave dhe mosinformimi i studentëve për afatet e regjistrimit.

"Ne kishim vënë një afat për pranimin e dokumenteve deri në 30 shtator, por duke qenë se ka pasur një fluks të madh kandidatësh që kërkojnë të dorëzojnë dokumentet, me një vendim që kemi nxjerrë ditën e hënë, afati për dorëzimin e dokumenteve është shtyrë deri më datë 20 tetor", sqaroi dekani Rrokaj. Sipas tij, janë miratuar kurrikulat për masterin e nivelit të dytë, të cilin e ndjekin ata studentë që kanë mbaruar me sistemin 4-vjeçar, por ende nuk kanë ardhur nga qeveria kuotat dhe tarifa e shkollimit, të cilat pritet të miratohen brenda një kohe të shkurtër.

Afati i publikimeve për të kualifikuarit mendohet të jetë dy ditë pas mbylljes së regjistrimeve. Pas datës 22 tetor do të shpallen fituesit.

Deri tani ka 30 lloje masterash dhe diplomash të nivelit të dytë që do të lëshohen nga ky fakultet. "Në seleksionim do t‘i japim prioritet kërkesës publike, por edhe mesatares. Vendi i punës që kërkon këtë lloj masteri, pra dobia publike, siç e kemi quajtur ne dhe nga ana tjetër, pjesa tjetër e kurrikulës, çfarë kanë bërë ata deri në aplikim. Përderisa një institucion publik ka një shërbesë publike, parapëlqejmë një mesatare të lartë, por dhe atë çfarë ata kanë bërë gjatë kësaj kohe, punësimi", sqaroi dekani i Histori-Filologjisë. Sipas tij, ka një dyndje shumë të madhe nga studentët jo vetëm për diplomë të nivelit të dytë, por edhe për masterat. Ndërkohë, Fakulteti i Historisë ka në strukturë 28 profesorë doktorë, 12 profesorë të asociuar, 15 doktorë.

Sakaq, qeveria ka miratuar vendimin për të punësuar 140 pedagogë të jashtëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›