Plagoset shoferi i mjetit të funeralit
Një automjet i agjencisë së shërbimeve funerale "Genti" në Tiranë u aksidentua dje në afërsi të Maminasit, duke shkaktuar plagosjen e rëndë të drejtuesit të mjetit. Sipas burimeve zyrtare të policisë rrugore të Tiranës, aksidenti ka ndodhur si pasojë e daljes së mjetit nga rruga dhe kthimit të saj përmbys nga forca e madhe e lëvizjes. Forcat e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe fillimisht i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit. Ai është nxjerrë nga makina, pasi policia sharroi me gur fleksibël skeletin e shtypur që kishte zënë poshtë drejtuesin e mjetit. Ky i fundit është dërguar në spital, ndërsa policia po bën matjet dhe verifikimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, për të zbardhur rrethanat e aksidentit.