E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet "anëtari" i dyshuar i "Hakmarrjes për Drejtësi"

Lirohet nga burgu Gëzim Gjoni, i dënuar si anëtar i "Hakmarrjes për Drejtësi". Ditën e djeshme, ai ka lënë qelinë, pasi ka mbaruar gjithë ditët e mbetura të dënimit. Gëzim Gjoni tha menjëherë sapo la ambientet e vuajtjes së dënimit, se kishte kryer ditët e mbetura të dënimit dhe se do u rikthehej punëve të përditshme. Madje, edhe në momentin e arrestimit, vëllai i tij deklaroi se ai ishte vetëdorëzuar në polici dhe nuk ishte kapur në ndonjë operacion, siç deklaroi Policia e Tiranës. "Jam dënuar me pesë vjet dhe sipas llogarive kisha bërë 20 ditë më shumë, por prokurorët donin të bëja edhe 15 ditë të tjera dhe kisha shkuar në polici shumë herë që t‘i bëja. Kam punë dhe nuk doja të pengohesha, prandaj isha i interesuar ta kryeja sa më parë dënimin e padrejtë. Ditën e parafundit më thanë të shkoja të nesërmen. Shkova, por lajmin e dhanë siç deshën. Nuk ka faj policia, por ata që kanë vënë në postet kyçe persona që e kanë krijuar me shpifje dhe falsifikime "Hakmarrjen". Ata vazhdojnë të mashtrojnë popullin", deklaroi Gjoni ditën e djeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›