Ndihem krenare që kam pasur mundësi të punoj me kryeministrin Berisha
Kryetarja e Kuvendit takim me banorët e Shëngjinit, para të cilëve mban fjalën "Doktrina e re ekonomike transformoi Shqipërinë".
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli zhvilloi një takim me banorët e komunës së Shëngjin, komunë që është transformuar tërësisht, ku investimi vetëm në dy vitet e fundit është rreth 11 milionë euro. Me këtë buxhet janë bërë investime të rëndësishme e me vlerë të jashtëzakonshme për këtë komunë si: Rruga Shëngjin-Lezhë investim 2.1 milionë euro; Ujësjellësi i Shëngjinit, shqetësim historik i këtij qyteti, me vlerë 3 milionë euro; Rehabilitim i kaskadës dhe derdhjes së lumit Drin, 1.6 milionë euro; Rruga nga ishulli Lezhë drejt qytetit Lezhë, 700 mijë euro; Sistemi biologjik i pastrimit të ujërave të zeza, 3.4 milionë euro e të tjera investime të mëdha. Në takimin me banorët e Shëngjinin, Kryetarja e Kuvendit ndër të tjera tha se kjo rr
itje e buxhetit, këto para për investime janë para të ardhura nga doktrina e re ekonomike e rritjes së rrogave, rritjes së pensioneve, uljes së taksave, doktrina e rritjes së investimeve, doktrinë që ka bërë që jo vetëm Shëngjini të ndryshojë, por të ndryshojë e gjithë Shqipëria.
Fjalimi i plotë i Kryetares së Kuvendit, në Shengjin
Mirë se ju gjeta Shëngjini! Për mua gjithmonë është kënaqësi e veçantë që të jem së bashku me ju, por sot ashtu si edhe në komunat e tjera, unë ndihem shumë herë më krenare e shumë herë më mirë nga ç’jam ndierë asnjëherë tjetër më përpara. Ne kemi qenë bashkë për 4 vite, kemi qenë bashkë përpara 4 vitesh kur Sali Berisha erdhi në Shëngjin, e kujtonim mirë në atë kohë kur Shëngjini nuk kishte rrugë, nuk kishte ujësjellës, nuk kishte infrastrukturë moderne dhe Sali Berisha ju tha unë do të ndryshoj Shëngjinin, unë do të ndryshoj rrugën kryesore të Shëngjinit, do ta bëj me rrugë kryesore Shëngjinin, do të transfomoj Shëngjinin ashtu siç do ta transformoj Shqipërinë. Dhe sot pas 4 vjetësh unë ndihem mirë, kur dëgjoj kryetarët e komunave që rreshtojnë njëri pas tjetrit projektet, projektet e kthyera në realitete, para të marra nga buxheti, të kthyera në ujësjellësa, rrugë, infrastrukturë për ta bërë këtë qytet kaq të bukur, këtë natyrë kaq të mrekullueshme, ashtu siç e meriton. Të hedhësh 11 milionë euro në Shëngjin është diçka e jashtëzakonshme, por e merituar, të hedhësh 11 milionë euro është një shifër e madhe, edhe vetë 4 vite më përpara na dukej e vështirë, por ka një gjë të thjeshtë, që na ka udhëhequr gjatë kësaj periudhe. Po të duash vendin, je i motivuar dhe realizon çdo gjë, po të motivohesh vetëm nga 20 përqindëshi siç bën Kryetari i Bashkisë së Tiranës, natyrisht që asgjë nuk është e mundur. Dhe këtu janë dy botë që ndahen, dy filozofi që ndahen: puna, serioziteti, besimi. Doktrina ekonomike e Sali Berishës ka bërë që jo vetëm Shëngjini të ndryshojë, por të ndryshojë e gjithë Shqipëria. Kudo që shkoj në çdo fshat, në çdo komunë, shoh një Shqipëri që po ndryshon, një Shqipëri që po ndryshon e shoh nga maja e veriut deri në jug në pikën më të poshtme të Shqipërisë, ku janë ndryshuar rrugë, këtë Shqipëri që po ndryshon e shoh në çdo fshat. E dini ju që 4 vjet më përpara qytetet e mëdha, jo në komuna, jo në fshatra, nuk kishin sistem të kanalave të ujërave të bardha dhe të zeza. E dini ju që ne kemi 2 mijë fshatra, në të cilat nuk kishte ujësjellës, ndërsa sot vetëm për një periudhë mbi 3 vjeçare, 4 vjeçare ne kemi ndërtuar jo pak, por 460 ujësjellësa, që kanë një vlerë të jashtëzakonshme në miliona euro, dhe janë në ndërtim 200 ujësjellësa të tjerë. Çfarë ka ndodhur gjatë kësaj periudhe? Na i fali njeri paratë? Erdhën paratë nga qielli? E dini ju që kur erdhëm në pushtet i gjithë buxheti ishte 2,5 miliardë dollarë, ndërsa sot është një buxhet i dyfishuar prej 5 miliardë dollarësh. Më thoni, ju jeni njerëz që lexoni, jeni politikanë, a dini një qeverisje tjetër që për një periudhë 4-vjeçare të dyfishojë buxhetin e vet. A dini ndonjë qeverisje tjetër që në 4 vjet të ketë dyfishuar rrogat e arsimtarëve të tyre dhe një numër që shkon në 44 mijë familje, të cilave ne ua kemi dyfishuar rrogat, vetëm tek arsimtarët, pa folur për një numër prej 500 mijë familjesh të tjera, pensionistësh të cilëve në qytet ua kemi rritur pensionet nga 50-80 për qind, ndërsa në fshat ua kemi rritur pensionet 50-130 për qind dhe mesatarisht çdo pensionisti në Shqipëri ia kemi rritur të ardhurat e tyre jo 50, 60 për qind, por 100 për qind. Është e paimagjinueshme janë para të nxjerra nga korrupsioni, para të marra me vullnet të fortë, nga këmbëngulje e një doktrine të re ekonomike të Sali Berishës që ka funksionuar më mirë se kudo tjetër. Një doktrinë ekonomike e bazuar në rritjen ekonomike, një rritje ekonomike që vetëm në vitin e kaluar shkoi në 8 për qind, një doktrinë ekonomike e bazuar në rritjen e rrogave, rritjen e pensioneve, uljen e taksave, një doktrinë ekonomike me një vizion të jashtëzakonshëm që 30 për qind e buxhetit të saj e kalon në infrastrukturë dhe ndërtim. Infrastrukturë do të thotë më shumë para, më shumë punësim, më shumë të ardhura për çdo familje. Unë ndihem krenare që kam pasur mundësi të punoj me Kryeministrin Sali Berisha dhe ta mbështes në Parlament në çdo reformë shumë të vështirë që ai ka sjellë në Parlament, por me vullnet bashkë me kolegët e tjerë i kemi kaluar të gjitha, pavarësisht nga vështirësitë, dhe nga pengesat që kemi gjetur herë pas here gjatë këtyre 4 viteve. Mjafton ta duash Shqipërinë dhe mundesh, mjafton ta marrësh seriozisht dhe mundesh, mjafton të kesh një vullnet të hekurt në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar. Këto para, dyfishimi i të ardhurave gjatë kësaj periudhe nga kanë ardhur? Absolutisht vetëm nga lufta kundër korrupsionit, kontrabandës, të evazionit fiskal. Çdo vit të ardhurat e shtetit janë rritur me 23 për qind, në një kohë që ne taksat i kemi përgjysmuar apo dhe i kemi çuar në nivele prej 10 për qind. E dini se çfarë do të thotë të kesh çdo vit rritje të të ardhurave 23 për qind? Do të thotë që ne në 4 vite i kemi rritut 100 për qind të ardhurat në buxhetin e shtetit. Kjo e përkthyer në vlerë absolute i bie që në 4 vite ne kemi mbledhur 1,3 trilionë dollarë të ardhura. E kuptoni se çfarë potencialesh ka ky vend? E kuptoni se çfarë mundësi kemi për të vazhduar për Shqipërinë që po ndryshon, këtë projekt të ëndrrave tona të gjithë bashkë. Dhe unë jam e sigurt se në 4 vjeçarin e ardhshëm projekte të tjera të mëdha, projekte të zhvillimit ekonomik, të rritjes së mirëqënies të çdo qytetari, të çdo banori, në fshat, në komunë, në qytet, projekte të mëdha për studentët. Nuk ka gjë më të bukur që kemi bërë të mundur, që për këtë periudhë kaq të shkurtër të kemi dyfishuar numrin e studentëve nga 55 mijë që ishin në vitin 2005 në 110 mijë student që hyjnë çdo vit në universitete. Nuk ka gjë më të bukur që kur unë shkoj dhe në fshatin më të largët të Shqipërisë dhe në shkollën e tyre unë gjej laboratorin kompjuterik, fëmijë që janë të ulur para kompjuteriut dhe lundrojnë në internet. “Mosha e internetit” ishte slogani dhe besimi i Sali Berishës dhe ai e realizoi, por unë u them sot fëmijëve se në 4 vjeçarin e ardhshëm në mandatin e dytë, ne do të bëjmë të mundur që ju jo vetëm të keni një laborator kompjuterik në shkollë, por do të keni edhe nga një laptop personal për secilin prej jush. Unë ndihem mirë kur shoh që dyert e botës janë hapur për ne nga Uashingtoni në Paris, nga Berlini në Athinë, nga Athina në vendet nordike dhe kudo. Është gjë e jashtëzakonshme që vetëm gjatë muajit prill, ky komb, ky vend, arriti të realizojë dy evenimentet më të mëdha historike, dy momente të rralla, ëndrra, për të cilat të gjithë bashkë kemi punuar: hyrja e Shqipërisë në NATO dhe dorëzimi i kërkesës për vendin kandidat në BE. Vetëm gjatë këtij muaji kryeminsitri Berisha u prit nga kryeministri dhe presidenti i Kinës që është fuqia e tretë ekonomike në botë, vetëm gjatë këtij muaji Kryeministri ynë u prit nga Presidenti Sarkozi, kur i dha mbështetjen shumë të madhe për liberalizimin e vizave dhe unë jam e sigurt dhe ua them këtu, sepse e besoj të mundshme që këtë kohë, sot një vit ne mund të takohemi dhe ju mund të thoni që ne mund të lëvizim pa viza. Absolutisht po, çdo qytetar, çdo grua, çdo burrë, çdo student në këtë kohë mund të lëvizë pa viza për të shkuar në Itali, në Greqi, në Gjermani për të parë familjarët, fëmijët, motrat, vëllezërit e tyre. Ne jemi një komb i lirë, energjik, një Shqipëri që po ndryshon. Unë jam optimiste dhe e shoh me optimizëm 28 qershorin. 28 qershori do të jetë një ditë feste, do të jetë një ditë e madhe, do të jetë ashtu siç jemi ne, një ditë që të lejojë, të bëjë të mundur që kjo Shqipëria jonë, kjo Shqipëri e re, e ndryshuar të vazhdojë projekte e saj, të rinisë. Unë ju falenderoj për mbështetjen tuaj, Falenderoj Shëngjinin Unë kam besim që në zgjedhjet e ardhshme, në 28 qershor fitorja e Partisë Demokratike do të jetë më e madhe, më e fortë seç ka qenë 4 vitet e para.
...