Rexhep Meidani: “Të garantohet pavarësia e Gjykatës Kushtetuese”
Ish-presidenti Rexhep Meidani, gjatë fjalës së tij u shpreh se është e nevojshme të garantohet pavarësia e dy gjykatave më të rëndësishme në vend, asaj Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Ai tha se emërimet e gjyqtarëve në këto gjykata nuk duhet të bëhen me komandim politik, por duke u zbatuar në dispozitat kushtetuese. “Të garantohet forcimi dhe sigurimi i pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese, dhe jo komandimi politik i saj nëpërmjet votës parlamentare”, - u shpreh ish presidenti Rexhep Meidani.
Thimio Kondi: “Ndryshimet kushtetuese, impakt negativ në Gjyqësor”
Edhe ish-kreu i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, fajësoi politikën për problemet në Gjyqësor. Zanafilla e këtyre problemeve, sipas tij, janë ndryshimet kushtetuese të 21 prillit të 2008-s. “Një impakt të madh negativ për këtë situatë që është krijuar, për mendimin tim, u bë ai votimi i shpejtë për të ndryshuar Kushtetutën dhe u veprua tamam si një ndërtesë që i hiqet një pjesë e themeleve të saj dhe që rrezikohet, shembet e gjithë ndërtesa”, - tha Thimio Kondi, ish-kreu i Gjykatës së Lartë, ndërsa bëri thirrje për institucione të pavarura gjyqësore.
Moisiu: “Politika po vendos veton për gjykatat”
Politika po kërkon të vendosë veto për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Kështu është shprehur ish-presidenti Alfred Moisiu në konferencën për rolin e gjykatave në demokraci. Moisiu, duke iu referuar edhe rrëzimit të kandidatit për në Gjykatën Kushtetuese, Vangjel Kosta, theksoi se maxhoranca ka marrë një vendim politik dhe partiak, dhe jo në bazë të profesionalizmit të kandidatit. Moisiu, duke e cilësuar si shqetësuese ndërhyrjen e politikës në emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, theksoi se mesazhi i politikës është i qartë për të gjithë ata që duan të bëjnë karrierë, duhet të kenë mbështetjen e maxhorancës së radhës duke lënë mënjanë profesionalizmin.
Juristi Roger D. Sherrard: “Rrëzimi i Kostës, gabim kolosal”
Juristi amerikan, Roger D. Sherrard, që ka punuar në Gjyqësorin shqiptar qysh nga viti 1992, ka komentuar për gazetën “Albania” rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, votimi i PD-së ishte i “politizuar, me arsye të turbullta apo pa arsye, që kishin sadopak logjikë për cilindo që di diçka mbi sistemin shqiptar të drejtësisë”. Sipas juristit amerikan, “votimi në Kuvend për të refuzuar emërimin e Vangjel Kostës për në Gjykatën Kushtetuese është një gabim kolosal. Ky votim flet shumë mbi politikën shqiptare, e cila aq shpesh shkatërron pikërisht më të mirët. Së pari, është e rëndësishme që të përgëzohet presidenti Topi për emërimin e z. Kosta. Nga të tre personat e emëruar, z. Kosta është qartazi më i kualifikuari; ka përvojën më të madhe dhe ka një reputacion të pacenuar për integritet si ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë, si avokat dhe si profesor në Shkollën e Magjistraturës”, - është shprehur juristi amerikan.
29 Maj 2010