E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja çame, Rama: PS draft alternativ që u jep fund konflikteve e nacionalizmit primitiv

TIRANE - Partia Socialiste propozon një rezolutë alternative për zgjidhjen e çështjes çame. Në një konferencë për mediat nga selia e PS-së, kryetari Edi Rama theksoi se çështja çame është përfshirë në programin qeverisës të socialistëve, si një draft, që siç tha ai, u jep fund konflikteve artificiale dhe nacionalizmit primitiv në vend. Lideri i opozitës nënvizoi se për PS-në, çështja çame është një çështje politike, e cila duhet adresuar me dinjitet, bazuar në instrumentet evropiane. 

“Propozojmë një projekt/rezolute alternative për adresimin e asaj që e quajmë çështje çame dhe që nuk mund të mbetet një çështje e paadresuar. Jemi të bindur se ka një rrugë për ta adresuar, një rrugë ku forcat politike të gjejnë paqen e plotë dhe ku ndërveprimi midis forcave politike t’i ngjajë atij ndërveprimi që ekziston në jetën reale mes qytetarëve të thjeshtë, çamëve dhe minoritarëve. Duke e konsideruar çështjen çame si një çështje të patrajtuar në Ballkan, e konsiderojmë çështjen çame një çështje politike e cila duhet adresuar. I kërkojmë Këshillit të Ministrave ta përfshijë çështjen çame si çështje të raporteve diplomatike me Greqinë”,- u shpreh Rama.

Duke iu referuar përplasjeve të fundit mes PBDNJ-së dhe PDIU-së për rezolutën çame, kryesocialisti tha se drafti alternativ i propozuar nga PS çminon terrenin e konflikteve, mllefin dhe shpirtin e konfliktit si dhe i vlen fqinjësisë së mirë. 

“Ajo çka ndodhi në Komisionin e Jashtëm ku dy forca politike që përfaqësojnë dy komunitete qytetarësh shqiptarë, të cilët jetojnë në të njëjtin truall, ndajnë të njëjtat halle dhe probleme, pavarësisht se kanë prejardhje të ndryshme, ishte diçka që ne na nxit një reflektim të shpejtë, të thellë dhe solid. Ne kemi nevoje që këtë çështje, ashtu sikundër të gjitha çështjet që lidhen me liri e të drejta të shqiptareve dhe të minoriteteve, t’i trajtojmë me urtësinë që na çon përpara, t’i trajtojmë me sensin e solidaritetit qytetar mes komunitetesh që ndajnë të njëjtin fat, të njëjtat probleme, halle shqetësime, por dhe ëndrra e shpresa në Shqipërinë tonë të përbashkët”,- u shpreh lideri i opozitës.

Sipas Ramës, “koha e nacionalizmave, e fryrjes së një zjarri ku boll janë djegur shpresat për shqiptarët, është kohë e shkuar”. 

DRAFTI I PS-së PER CESHTJEN CAME
“Duke u mbështetur në parimet bazë që udhëheqin vizionin tonë për një Shqipëri Europiane në marrëdhëniet ndërkombëtare; normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare; të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet kombeve; të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të fqinjësisë së mirë; bashkëpunimit rajonal, dhe solidaritetit ndërkombëtar;
Duke vlerësuar se Shqipëria Europiane në marrëdhëniet ndërkombëtare ka në qendër të misionit të saj adresimin e çështjes kombëtare, mbrojtjen e interesave kombëtare, të pavarësisë, lirisë e të sovranitetit të vendit, parandalimin e konflikteve dhe kontributin për paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë;
Duke e konsideruar të paçmuar mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë në proceset e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë, marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve tona, dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat si dy vende fqinjë dhe aleate në strukturat euro-atlantike;
Duke njohur rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në funksion të adresimit të çështjeve me interes të ndërsjellë dhe krijimit të një modeli bashkëpunimi edhe për vendet e tjera të rajonit;
Duke e konsideruar çështjen çame si një çështje të patrajtuar në kuadër të çështjes shqiptare në Ballkan;
Duke u mbështetur në frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë;
Ne, përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë, e konsiderojmë çështjen çame, një çështje politike, e cila duhet adresuar në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Për këtë, i kërkojmë Këshillit të Ministrave ta përfshijë si çështje politike në marrëdhëniet diplomatike dypalëshe me Greqinë dhe të raportojë dy here ne vit pranë Kuvendit të Shqipërisë, për ecurinë e kësaj çështje.”

DEBATET DULE-IDRIZI PER REZOLUTEN E PDIU-së
Shqyrtimi i rezolutës çame të PBDNJ-së në mbledhjen e kaluar të Komisionit parlamentar për Punët e Jashtme ka degjeneruar në debate e fyerje të ashpra mes kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe dy deputetëve të PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri. 

Mbledhja u hap me pretendimin e Dules, i cili deklaroi se "komisioni po shkel Kushtetutën, pasi me rregulloren e re nuk ka asnjë bazim ligjor ku të mbështeten kërkesat e PDIU-së". Por deklarata e tij ka sjellë reagimin e deputetëve të PDIU-së. "Ne nuk po kërkojmë asgjë tjetër përveçse ato që na kanë lënë të parët tanë. Dhe kjo nuk lëviz aspak nga Karta Universale e të Drejtave të Njeriut, pavarësisht se ky palaço që kam përpara (i drejtohet Dules) përfaqëson atë parti dhe ngatërron rezolutën çame me Kushtetutën e Greqisë", - deklaroi deputeti i PDIU, Dashami Tahiri. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kreut të PBDNJ-së. 
"Nuk mund të jem pjesë e kësaj mbledhjeje të Komisionit të Politikës së Jashtme, që po kthehet në ambient rrugaçërie", - tha Dule, duke braktisur mbledhjen. Nga ana e tij, kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi i tha se "z.Dule mund ta mbani gjuhën, rrugaç je ti".

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Lëvizja Çame: Vlerësojmë përqasjen e PS për çështjen çame VIDEO: Çështja çame, Rama: PS draft alternativ që u jep fund konflikteve e nacionalizmit primitiv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›