E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleanca me PS, LSI liron postet në administratën publike, dorëhiqen Cenaj e Pipero

TIRANE - Me pranimin e koalicionit parazgjedhor me Partinë Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim po vijon të lirojë postet politike që mbante në qeveri dhe administratën publike. Gjatë ditës së sotme kanë paraqitur dorëheqjen drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës në Vlorë, Kasem Cenaj. 

Në një deklaratë për mediat, Pipero sqaroi se “Unë sot, në mirëkuptim të plotë me Ministrin e ri të Shëndetësisë, mjekun e njohur dhe mikun tim Dr. Halim Kosova, vendosa të jap dorëheqjen nga një përgjegjësi që më dha kënaqësinë dhe përgjegjësinë t’ju shërbej më mirë qytetarëve, por dhe të bashkëpunoj me ju. Me këtë rast i uroj Dr. Halim-it suksese, duke i premtuar se edhe jashtë ekipit të tij unë vazhdoj ta ndiej veten pjesë të ekipit. Duke mos e konsideruar veten si "viktimë" të prishjes së një koalicioni deri tani shumë funksionues, të përligjur e të suksesshëm, por ndoshta jo të natyrshëm, e vlerësoj dorëheqjen time si një akt mëse normal, që vjen në kohën e duhur dhe njëkohësisht më krijon mundësinë dhe me jep privilegjin të vazhdoj t'ju shërbej qytetarëve si mjek në shërbimin e sëmundjeve infektive në QSUT, dhe studentëve si pedagog.” -u shpreh ai.

LSI në total ka marrë nga koalicioni me PD-në drejtimin e rreth 33 posteve të rëndësishme. LSI përfaqësohej në Ekzekutiv me postin e zëvendëskryeministrit, ministrin e Ekonomisë, ministrin e Shëndetësisë dhe ministrin e Jashtme. Po ashtu, forca politike e drejtuar nga Ilir Meta kishte 7 poste zëvendësministrash në Ekzekutiv, në disa prej sektorëve më të rëndësishëm, siç janë Ministria e Arsimit, Punës, Transporteve, Ekonomisë, Integrimit dhe Bujqësisë dhe Punëve të Jashtme.

Postet e LSI në administratë:
Zv.kryeministër dhe ministër i Ekonomisë
Ministër i Jashtëm
Ministër i Shëndetësisë
Zv.ministër i Jashtëm
Zv.ministër i Integrimit
Zv.ministër i Ekonomisë
Zv.ministër i Punëve Publike
Zv.ministër i Arsimit
Zv.ministër i Punës
Zv.ministër i Bujqësisë
Prefekt i Fierit
Prefekti i Durrësit
Agjencia e Trafikut Ajror (ANTA)
Drejtoria e Transportit Tiranë
N/drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve
Drejtor i KESH
Drejtor i QSUT
Drejtor i Spitaleve (Elbasan, Vlorë, Lezhë, Gjirokastër)
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore
Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve
Agjencia Kombëtare Bërthamore
Qendra Kombëtare e Regjistrimit
Qendra Kombëtare e Licencimit
Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë
Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit
Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe Markave
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar
Inspektorati Qendror Teknik
Reparti i Inspektim dhe Shpëtim-Minierave
Sekretariati për Transparence në Industrinë Nxjerrëse

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›