Çështja e Iranit, Franca: BE dhe SHBA-ja të shtojnë sanksionet

Në një kohë kur marrëdhëniet mes Iranit dhe SHBA-së janë tensionuar pas deklarateve nga Teherani zyrtar për mbylljn e ngushticës së Hormuzit, ministri i jashtëm francez Alian Jupe tha se Franca është e bindur që Irani po zhvillon armë bërthamore.
Jupe theksoi se BE dhe SHBA duhet të rrisin sanksionet ndaj Iranit duke ngrirë edhe pasuritë e bankës qëndrore iraniane duke imponuar një embargo mbi eksportin e naftës. Irani ka hedhur poshtë akuzat e perëndimorëve se është duke u përpjekur për të zhvilluar armë bërthamore, ndërsa thekson se programi i tij është për qëllime paqësore. Ndërkohë të hënën Irani testoi raketat me rreze të gjatë tokë-ajër duke i treguar kështu dhëmbët SHBA-së.
"Irani po vazhdon me zhvillimin e armëve të tij bërthamore, për këtë s`kam asnjë dyshim. Raporti i fundit i ANEB-së është mëse i qartë në këtë pike" deklaroi ministri Juppe për një televizionin francez duke theksuar se duhen ashpërsuar sanksionet kundër Iranit. Në nëntor, SHBA, Kanadaja dhe Britania njoftuan sanksione të reja ndaj Iranit, menjëherë pas raportit të ANEB-së që thoshte se Irani kishte kryer teste të lidhura me zhvillimin e një aparati atomik.
Irani gjithashtu po vazhdon një seri manovrash ushtarake në Gjirin Persik, ndërsa po ushtron presion për mbylljen e ngushticës së Hormuzit, nga ku kalon gati 20% e naftës. Retorika e kërcënimeve dhe tensionet mes palëve kanë ndikuar edhe në rritjen e çmimit të naftës e cila ka arritur shifra rekord në tregjet ndërkombëtare.