E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja e Shqipërisë së Jugut ose e “Vorio-Epirit”

“Principata e Shqipërisë dhe Mbretëria e Greqisë 1913-1914” me autor profesorin e Historisë Moderne Botërore dhe Historisë së Institucioneve në Universitetin Europian, u prezantua dje në mjediset e UET në prani të personaliteteve të fushës akademike por dhe më gjerë. Në fjalën e saj përshëndetëse presidentja e Universitetit Europian, Teuta Dobi, u shpreh për vlerat që sjell ky studim në fushën akademike dhe studimore. “Libri i profesor Gurakuqit bën pjesë te seria e monografive dhe studimeve të botuara nga UET/Press, të cilat janë kryesisht libra të shkruar nga pedagogët tanë ose nga autorë të tjerë shqiptarë, të cilët synojnë pasurimin e debatit akademik dhe ndihmë në procesin e mësimdhënies në Universitetin tonë, por edhe më gjerë.” - tha ajo ndër të tjera.

Libri është një përpjekje për të shqyrtuar marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Greqisë në periudhën e viteve 1912-1914 dhe historinë e vendosjes së vijës ndarëse kufitare në mes të shtetit të fundit ballkanik të lindur nga shpërbërja e Perandorisë Osmane, Principatës Shqiptare, me Mbretërinë e Greqisë. Përfshirja e Shqipërisë së Jugut në principatën shqiptare ka qenë pjesë e procesit shumë të ndërlikuar të përkufizimit politik të Shqipërisë, dhe ndërtimit të institucioneve të saj, procese që janë kushtëzuar nga ndërveprimi i një sërë faktorëve që shtrihen në historinë pararendëse dhe nga zhvillimet dramatike të krizës ballkanike 1912-1914. Problemi i Shqipërisë së Jugut dhe caktimi i kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë qenë probleme të mirëfillta të fushës së politikës ndërkombëtare, që kanë implikuar jo vetëm palët e interesuara por para së gjithash Fuqitë e Mëdha në tërësi. Studimi është i fokusuar në trajtimin diplomatik të këtij problemi nga Fuqitë e Mëdha të kohës në procesin e zbatimit në terren të vendimeve të Fuqive të Mëdha mbi vijën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, në procesin e vështirë dhe të ndërlikuar të zbrazjes së Shqipërisë së Jugut nga trupat pushtuese greke, që asnjëherë nuk u plotësua konform vendimit të Fuqive të Mëdha, në lindjen e një lëvizjeje autonomiste separatiste, të dirigjuar nga Athina, në këtë pjesë të vendit që ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe mjaft të rënda për kujtesën shqiptare dhe greke, dhe në fund fare, me misionin e pamundur të shtetit shqiptar dhe të organizmit mbikëqyrës të Fuqive të Mëdha, Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, për të shtrirë integritetin shoqëror shqiptar në gjithë hapësirën e njohur ndërkombëtarisht.

Studimi ka si datë përmbyllëse rivendosjen e pushtimit grek mbi Shqipërinë e Jugut, më 31 tetor të vitit 1914, në rrethanat e perceptimit të Luftës së Parë Botërore dhe shpërbërjes së autoritetit shtetëror të Principatës Shqiptare, “përligjur” nga Mbretëria e Greqisë, me nevojën e vendosjes së një autoriteti publik mbi këtë krahinë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›