E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë bezdie të jesh mbretëreshë

Diskutime, parada, bankete Në pallatin mbretëror anglez janë ekspozuar objektet që sovrania e Anglisë, Elizabeta II, përdor gjatë angazhimeve të saj publike: nga salla ku u organizua festa e ditëlindjes, te manteli që kishte veshur në fjalimin e inaugurimit të Parlamentit. “Lista e angazhimeve të saj do të ishte e mërzitshme edhe për një 20-vjeçare”

Ka mënyra të ndryshme për ta parë monarkinë britanike. Më e thjeshta është blerja e një bilete për në “Buckingham Palace” (pallatin mbretëror) duke e vizituar mes mijëra turistëve të cilët thithin aromat e stallave të kuajve dhe të nxehtin përvëlues, ose përkëdhelin me kujdes e dëshirë veshjet prej mëndafshi dhe damasku të mbretëreshave dhe princeshave (ato të Dianës janë të ndaluara të preken), pra duke marrë pjesë në një shfaqje të vërtetë mes përrallave dhe cirkut. Një mënyrë tjetër është të shohësh monarkinë dhe mbretin e saj, ose më saktë mbretëreshën Elizabeta, me një profesion tejet të specializuar, me një rol të përcaktuar dhe të frytshëm në një sistem modern e efikas, siç është ai britanik, që ka mbajtur një ekuilibër të vërtetë në familjen e Uindsorëve. Mbretëresha është burim kohezioni politik dhe social, burim të ardhurash. Pallati mbretëror ku jeton është i mbushur me sende e objekte të çmuara, karroca kuajsh, të cilat që prej vitit 1952 përdoren nga një profesioniste e vërtetë, që i ka të qarta detyrat e saj. Të qenit mbretëreshë nuk është një profesion i lehtë, ka vështirësitë dhe angazhimet e veta. Ndonjëherë bëhet edhe i mërzitshëm.
Mungojnë vetëm pak ditë nga hapja e kësaj ekspozite dhe mundësia për ta parë nga afër profesionin e mbretëreshës, do të ofrohet me një veprimtari marketingu politike komerciale. Ekspozita që është titulluar “Viti i Mbretëreshës”, do t’i hapë dyert pas pak ditësh, më saktë ditën e martë. Kjo ngjarje përkon edhe me hapjen e sezonit veror në “Buckingham Palace” (www. royalcollection. org. uk: biletat mund të prenotohen përmes internetit).

Pa dyshim që do të jetë një “Luna park” i organizuar në mënyrë shkencore, një shfaqe e vërtetë që mbretëresha mund t’ju ofrojë nënshtetasve të saj dhe turistëve. Lista e objekteve që do të ekspozohen i korrespondon një liste angazhimesh, detyrash e përgjegjësish që lidhen drejtpërsëdrejti me mbretëreshën.

Objekti i parë, mjaft i bukur e domethënës, nuk është ekspozuar kurrë më parë. është karroca me kuaj me të cilën mbretëresha shëtiste ditën e “Trooping the colour”. “Trooping the colour” është parada ushtarake që Elizabeta organizon në ditën e ditëlindjes së saj. Prej disa vitesh mbretëresha kërkon karroca, por dashuria, pasioni i vërtetë i saj për kuajt, tregon se është një Uinsdor, edhe pse në “profesionin” e një sovraneje.

Një copëz tjetër e rrallë e paekspozuar më parë do të jetë pelerina e gjatë gjashtë metra, që mbretëresha veshi ditën e inaugurimit të Parlamentit. Atë ditë në Parlament, mbretëresha paraprihej nga rojet, të cilët duke qëndruar në çdo cep të pallatit, kërkonin me shikim tradhtarët që ishin gati të godisnin sovranen siç tentuan të bënin në “Gunpowder Plot” të vitit 1605. Pjesë e ekspozitës do të jenë edhe fenerët e vendosur pranë topuzëve dhe shpatës mbretërore, që u përdorën për të hapur dyert e Parlamentit dhe për t’i folur kombit.

Prej vitit 1952, Elizabeta ka bërë 352 udhëtime jashtë shtetit, ka dhënë 400 mijë nderime, ka organizuar 100 bankete shtetërore. David Oakey, një nga kuratorët e ekspozitës, thotë se lista e angazhimeve të mbretëreshës do të ishte e mërzitshme edhe për një 20-vjeçare dhe jo më për një grua të moshuar që i ka kaluar të 80-at. “Një monarki është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me ngjarjet që organizon”, thotë Edward Griffiths, nëpunës i shtëpisë mbretërore. Këtu përfshihen banketet, emërimi i kalorësve dhe baronëve, takimet me qeverinë, çaji me personalitetet dhe njerëzit e thjeshtë. Të gjitha këto janë pjesë të një “puzzle”, figura e të cilit është e qartë: të mbretërosh në shekullin XXI, do të thotë të drejtosh një vend pa e qeverisur.

Elizabeta është kreu i shtetit i Mbretërinë së Bashkuar, kreu i Forcave të Armatosura dhe Kishës së Anglisë. “Makina” që administron pushtetin rreth këtyre impenjimeve, përdor drita, tinguj, ngjyra, diamante dhe armë, të cilat mund të jenë plastike, ose të rreme. Por pushteti që ndodhet brenda gjithë kësaj është më se i vërtetë, ashtu si profesionistja që e drejton.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›