Gjoba 20 milionëshe për ndotjen akustike
Me një urdhëresë të posaçme, kryebashkiaku i Sarandës, Edmond Gjoka, ka paralajmëruar dje drejtuesit e mjeteve të rënda të tipit çekiç dhe pronarët e diskove të mos guxojnë të “prodhojnë” ndotje akustike deri në fund të gushtit. Duke qenë reagues ndaj shqetësimit të qytetarëve dhe pushuesve të këtij turi, kur sezoni po prek kulmin e vet, si dhe në reflektim ndaj vendimit më të fundit të qeverisë për oraret e diskotekave, Bashkia e Sarandës dhe inspektorja e mjedisit, Areti Papadhima, kanë thënë se nuk do të jenë tolerues në pafundësi ndaj prishjes së qetësisë publike. Kryesisht “ndotja akustike” vjen nga zhurma e çekiçëve pneumatikë, me të cilat punohet kohë e pa kohë për hapjen e trojeve të ndërtimit, si dhe nga muzika e lartë e diskotekave verore përgjatë bregdetit të Sarandës.
Qysh përpara se të niste ky sezon veror ne kemi bashkëbiseduar me biznesin, të cilin e konsiderojmë partner dhe duke u mirëkuptuar me të, kishim vendosur një orar të përcaktuar, kur si çekiçët edhe diskotekat, nuk bëhen shkak për të prishur pushimet e frekuentuesve apo normalitetin e jetës së banorë. Kështu shprehet kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, i cili, në cilësinë e qytetarit të parë, ka ashpërsuar qëndrimin ndaj “prodhuesve” të ndotjeve akustike. Ndaj tyre ka marrë fund lutja dhe ultimatumi është i qartë: në asnjë orar të ditës dhe të natës të mos lejohet të punojnë çekiçët nga 23 korriku deri më 30 gusht, ndërkohë që është limituar në zbatim të vendimit të fundit të qeverisë koha e funksionimit të diskotekave. Ky vendim është bërë i njohur edhe në mënyrë zyrtare nga bashkiakët e Sarandës për pronarët e diskotekave, duke sqaruar se është nga e hëna në të enjte deri në orën 23.00, ndërsa për fundjavë deri në mesnatë. Inspektorja e mjedisit, Areti Papadhima, pranon se zhurmat që shkaktojnë çekiçët dhe diskotekat verore, sidomos në afërsi të zonave të banuara, apo hoteleve që ka Saranda, gjatë gjithë kohës përbëjnë shqetësim për banorët dhe tani në sezon edhe për pushuesit. Nga monitorimi që i është bërë ndotjes mjedisore, sipas saj, niveli i zhurmave shkon deri në 90 decibelë, ndërkohë që kufiri i lejuar është vetëm 55 decibelë. Në zbatim të masave më të fundit, bëhet e ditur se kjo periudhë gati 40-ditore do të shoqërohet me kontrolle të shumta nga ana e policisë bashkiake dhe Inspektorati i Mjedisit, për të verifikuar zbatimin e vendimeve. Sipas tyre, për ata që do të guxojnë t’i thyejnë rregullat e vendosura, do të ketë gjobëvënie të rënda, që shkojnë nga 1 deri në 2 milionë lekë të reja.
#