E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë fshihet pas traktatit SHBA-Rusi?

Mësimi i Luftës së Ftohtë është se gjithë negociatat komplekse dhe traktatet nuk janë në vetvete agjente të ndryshimit, por rezultat i forcave dhe veprimeve më të thella dhe të padukshme të njerëzve. Sigurisht, një traktat është jetik për të arritur në vendime dhe për të parandaluar mashtrimin. Por, rëndësi më të madhe kanë arsyet e sjella nga dy palët në tryezë në radhë të parë: Ekonomia, politika, teknologjia dhe fuqia ushtarake, si dhe roli i liderëve si presidenti amerikan, Ronald Reagan dhe lideri sovjetik Mikhail Gorbachev. Masa më e rëndësishme efektive për kontrollin e armëve bërthamore nuk qenë një traktat, por abdikimi i Bashkimit Sovjetik dhe konkurrenca. Çfarë e shkaktoi?

Një ekonomi jofunksionale dhe një sistem politik që shpërtheu. Prandaj le ta lëmë mënjanë hiperbolën mbi traktatin e Pragës që u nënshkrua të enjten nga presidenti amerikan, Barack Obama, dhe ai rus Dmitri Medvedev. Për sa kohë që armët ekzistojnë, është sigurisht me vlerë që të kufizohen në një traktat. Obama premtoi vitin e kaluar, në fjalimin e tij në Pragë, që do siguronte një traktat “të guximshëm”. Ky është një traktat i guximshëm, por modest.

Shpresat e mëdha për traktatet nuk janë realizuar shpesh. Dy traktate të mëdha të negociuara me vështirësi, “Salt II” dhe “Start II”, nuk kanë hyrë kurrë në fuqi. Konventa e Armëve Toksike dhe Biologjike hyri në fuqi, por ishte aq e parëndësishme sa Bashkimi Sovjetik e shkeli menjëherë. Në vend që të festojmë këtë javë dhe të marrim frymë me çlirim, ajo që duhet të bëjmë është të përgatitemi për mundësinë e radhës që do zvogëlojë rrezikun bërthamor.

Rusia ka ende shumë armë bërthamore. Së bashku, Rusia dhe SHBA kanë 95 për qind të armëve bërthamore të botës. Është jetike që të kalohet në fazën tjetër: Reduktimi i armëve taktike bërthamore. Por, për të bërë këtë duhet të shohim qartë forcat e rëndësishme që po i japin formë Rusisë. Kremlini mund të mos jetë i gatshëm për të negociuar apo të arrijë në konkluzione së afërmi. Kushdo që e qeveris Rusinë realisht – qoftë ai presidenti Medvedev apo kryeministri Vladimir Putin – mund të mos dëshirojë të negociojë mbi reduktime të mëtejshme. Obama dhe Medvedev nënshkruan traktatin, që parasheh reduktimin për 30 për qind të arsenalit bërthamor të dy vendeve.

Të dy udhëheqësit e vlerësuan traktatin gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Pragë dhe të dy presidentët u zotuan gjithashtu se do të shqyrtojnë mundësinë e sanksioneve të reja për Iranin, në qoftë se Republika Islamike vazhdon të refuzojë pezullimin e programit të saj për pasurimin e uraniumit dhe hapjen e negociatave për programin e saj bërthamor që dyshohet se po zhvillon.

Traktati zëvendëson atë të vitit 1991 të nënshkruar nga presidenti amerikan, George H. W Bush, dhe presidenti rus, Mikhail Gorbachev.

Para se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik të nënshkruanin Traktatin për Pakësimin e Armëve Bërthamore START 1 në vitin 1991, të dy vendet kishin dhjetëra mijë mbushje bërthamore. Traktati kërkonte reduktimin e tyre në vetëm 6000. Në përpjekje për një fillim të ri në marrëdhëniet e tensionuara me Moskën, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, premtoi të punojë nga afër me Rusinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re për shkurtime të tjera.

"Ka shumë punë për të bërë. Ne mendojmë se ky është fillim ri jo vetëm për të përmirësuar marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe për ta udhëhequr botën në fusha të rëndësishme, sidomos për sa u përket armëve bërthamore dhe sigurisë bërthamore."Gjatë vizitës së tij në Moskë në muajin korrik, presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet të udhëheqin me shembullin e tyre për pakësimin e kërcënimit të armëve bërthamore. Më pas ai raportoi se ishin bërë hapa përpara drejt këtij objektivi, megjithëse traktatit START 1 i kishte mbaruar afati.

Analisti rus, Viktor Litovkin, redaktor i Revistës së Pavarur Ushtarake, thotë se marrëveshja u vonua për shkak të disa problemeve. "Së pari këto ishin probleme të verifikimit, transparencës dhe të kontrollit. Një pengesë tjetër ishte padyshim lidhja mes armëve strategjike mësymëse dhe atyre mbrojtëse." Moska shprehu shqetësim, gjatë gjithë procesit të negocimit, se një sistem amerikan i mbrojtjes nga raketat në Europën Qendrore, i propozuar nga administrata Bush, do të neutralizonte armët ofensive të Rusisë. Kjo me gjithë sigurimet e dhëna nga Washingtoni se sistemi synonte mbrojtjen nga raketat iraniane.

Presidenti Obama e rikonfiguroi sistemin e propozuar dhe i lëvizi më pranë Iranit elementët e këtij sistemi. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, e siguroi sekretaren Clinton, në Gjenevë vitin e kaluar, se vendi i tij ndan të njëjtin synim për mospërhapjen e armëve, duke përfshirë këtu Iranin dhe gadishullin korean. (Foreign Policy)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›