Çfarë ka pësuar ish-kolegu Peza në “regjimin rrënimtar” të Berishës
Terminologjia e përdorur nga ish-gazetari nuk përputhet me statusin që ai ka gëzuar në “regjimin rrënimtar” të Berishës. Detajet e përgënjeshtrojnë Pezën në fjalimin hyrës në politikë, por ne mund t’i kujtojmë se ai shumë shpejt do të ndërgjegjësohet për regjimin që di të zbatojë Edi Rama ndaj të vetëve, veçanërisht kur janë “blerje të reja”
Fjalorit terminologjik antiqeveritar prej pak ditësh i është shtuar edhe togfjalëshi “regjim rrënimtar”. Ky togfjalësh si “new entry”, nuk ka si të mos artikulohej nga një “new entry” në politikën shqiptare, i cili as më shumë e as më pak është “ish-i pavaruri”, “ish-kolegu”, tashmë “i varur kokë e këmbë”..., Alfred Peza. Gjithsesi, me gjithë “gjetjen” ky togfjalësh mbart joseriozitet..., për vendin dhe kohën e artikuluar. Do të kishte qenë më e ndershme dhe më e asimilueshme, sikur Alfred Peza këtë “gjetje” ta artikulonte në ndonjë studio televizive, nga pozitat e “gazetarit të pavarur”. Por, e artikuluar përbri kreut të PS-së Edi Rama, në ambientet e selisë së PS-së, përveçse jo serioze, ky togfjalësh e komprometon artikuluesin e tij, për të mos thënë e denoncon me joseriozitetin e tij. Nuk është serioze të shprehesh me këto terma joseriozë, për hir të politikës. Pa qenë nevojë të hysh thellë në analizën” e këtij artikulimi, fakti që Alfred Peza u shpall kandidat i PS-së (në këtë regjim) nuk është “rrënim”..., pasi brenda këtij “regjimi”, “autorit” të këtij togfjalëshi ju dha, jo pak, por edhe kjo liri, që ai “pa frikë dhe me shkronja të mëdha të thotë...”, gjëra që në qoftë se do të ishte “koha e ndritur” e “performancës” së tij më uniformën ushtarake..., nuk do të guxonte ti mendonte as pa zë, e jo më ti artikulonte me zë e me figurë. Kaq, mjafton që Alfred Peza në respekt të lirisë që mund të thotë ç’të dojë, t’ia referojë togfjalëshin e tij regjimit të kohës së shkollimit të tij... Pjesa jo serioze e artikulimit të ish-kolegut “ish-të pavarur”, lidhet më tepër me anën parimore... Sepse..., sepse..., si person “publik” (tashmë me një status tjetër), Alfred Peza deri para datës 3 shkurt 2013 ka pasur ca marrëdhënie të tjera (në drejtim të të mirave materiale) me “regjimin rrënimtar” (në një kohë kaq të shkurtër), që ish-kolegët e tij, jo vetëm janë ende shumë larg përfitimeve të tilla, por edhe nuk e fshehin çudinë. Në këtë shprehje çudie, gazetarët që e njohin kandidatin për deputet të PS-së, ish-gazetarin Alfred Peza, tregojnë se deri në vitin 2005, ky “ish-i pavarur” ka jetuar në një shtëpi 60 metra katrorë te Fusha e Aviacionit dhe ka qenë kryeredaktor te gazeta e Leskajve (Vali & Sons), “Korrieri”. Ndërsa e shoqja, Mirela Ndini, ishte gazetare te organit të PS-së, “Zëri i Popullit”. Duket ai “regjim i atëhershëm (jo rrënimtar)”, nuk ia mundësonte luksin e tepërt. Por gjërat ndryshuan dhe pas formulës magjike “sezam hapu” në kohën e “regjimit rrënimtar” pas vitit 2005, Alfred Peza jo vetëm filloi punë me një rrogë 10 mijë dollarëshe te TV “Ora News”..., por edhe (normal) bleu një tjetër shtëpi 280 metra katrorë pranë Gjykatës së Tiranës, diku aty ku kanë ndertuar pallate sërish Leskajt (Vali & Sons)... Ndërsa si për një çudi edhe më të madhe, sërish ish-kolegë të Alfred Pezës, kujtojnë se e shoqja e tij vazhdon t’i “shërbejë” këtij “regjimi rrënimtar”, duke vijuar të jetë drejtoreshë e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, në Ministrinë e Punëve të Jashtme... Hajde fol po deshe për seriozitet në artikulimet dhe këndvështrimet e “ish-të pavarurit”, “ish-kolegut tonë”, tashmë “i varur kokë e këmbë” Alfred Peza..., për “regjim rrënimtar”. Por “dardha e ka bishtin mbrapa”... ... Ky “regjim rrënimtar” do t’i duket “fushë me lule” Alfred Pezës, kur të ndeshet me regjimin (e vërtetë) rrënimtar të Edi Ramës. Ndoshta nuk do t’i duhet shumë që ta vërejë...
...