Nuni: Nuk janë të vërteta akuzat se po pengoj hetimin, askush nuk është interesuar
Gati një javë pasi Tirana u trondit nga një atentat që iu bë një anëtari të Gjykatës së Lartë, policia nuk ka arritur të japë asnjë informacion për ngjarjen e rëndë. Përveç kësaj, ajo ka shpërndarë dhe informacione në media se është pikërisht gjyqtari Ardian Nuni që po pengon hetimet, duke mos lejuar policinë që të hetojë telefonin e tij, por dhe duke mos dhënë informacione të tjera.
Një gjë e tillë është përgënjeshtruar nga vetë Nuni, që thotë se nuk i është kërkuar një gjë e tillë. Ai shton se nuk është e vërtetë që nuk po bashkëpunon, por është pikërisht policia dhe organet e tjera që nuk kanë kërkuar ta pyesin atë.
Ngjarja e rëndë ngriti hije të forta dyshimi mbi punën e policisë dhe organeve të inteligjencës. Ishte Presidenti i Republikës që deklaroi se këto organe, jo vetëm që duhet të mbledhin të dhëna, por dhe duhet të parandalojnë krime të tilla.
Ndërkombëtarët kanë kërkuar që kjo ngjarje të zbardhet sa më shpejt, ndërsa Gjykata e Lartë, KLD dhe të tjera organizma kanë akuzuar se gjuha e ashpër politike po nxin imazhin e gjyqtarëve duke i etiketuar si kriminelë që meritojnë ndëshkim.