Kisha Ortodokse Greke e Amerikës,nën presionin e akuzave për pedofili
Pas zbulimit të skandalit të ngacmimeve seksuale brenda Kishës Katolike prej njërës nga gazetat më të mëdha të Bostonit, kësaj radhe është Kisha Ortodokse Greke që ballafaqohet me një skandal të pashembullt seksual, të zbuluar prej gazetës greko-amerikane, “The National Herald”. Skandale këto që deri tani janë mbajtur të fshehura, por që nuk mund të mbahen më. Kisha Ortodokse Grek në SHBA, është duke u ballafaquar edhe me drejtësinë amerikane, rreth çështjeve të cilat kanë të bëjnë me priftërinjtë e saj. Gazeta në fjalë shkruan se Kisha Ortodokse Greke ka rënë dakord që të nënshkruajë edhe një marrëveshje dëmshpërblimi në lidhje me dy çështjet e fundit seksuale, që kanë të bëjnë me ish-priftin e saj Nicholas Katinas. Thuhet se shuma e dëmshpërblimit shkon mbi 2 milionë dollarë, plus edhe pagesat e shpenzimeve gjyqësore, që shkojnë në 300 mijë dollarë, shkruan në njërin prej numërave të kaluar gazeta “The National Herald”. Kisha Ortodokse Greke e Amerikës ka paguar vetëm në 5 vitet e fundit rreth 21 milionë dollarë dëmshpërblim për viktimat seksuale të priftërinjve të saj. Por
kësaj shume do t’i shtohen edhe 2 milionë dollarët për skandalin e fundit të priftit Katinas të Kishës Ortodokse Greke në Amerikë. Sipas
“The National Herald”, Dioqeza Ortodokse Greke në Amerikë dhe pesë viktimat tashmë të rritur të skandalit seksual të ish-priftit Nicholas Katinas
kanë arritur më në fund një marrëveshje për ta zgjidhur çështjen jashtëgjyqësisht nëpërmjet pagesës së mësipërme. Seanca gjyqësore ishte vendosur të bëhej më 3 nëntor të 2008-s, por u anulua në momentin e
fundit, pasi u arrit marrëveshja e duhur. Dioqeza kërkoi që të gjitha dokumentet e gjyqit të mbaheshin
sekrete, duke përfshirë edhe dëshmitë. Midis dëshmive është edhe ajo e Nicholas Triantafillou, presidenti i
Kolegjit Helen dhe i Shkollës Teologjike të Kryqit të Shenjtë Grek Ortodoks në Bruklajn, Masaçusets.
Dioqeza kërkoi edhe që masa e dëmshpërblimit të mos zbulohej. Megjithëse zyrtarët e Kishës u kujdesen për të mos dhënë informacion për
masën e zhdëmtimit të viktimava të këtij skandali, shumë hollësi u zbuluan në buxhetin e raportuar për anëtarët e Dioqezës. Avokatja e viktimave, Znj. Meritt, vërtetoi informacionin e botuar nga “The National
Herald”. “Po, marrëveshja u arrit që në fillim”, pohon ajo, megjithëse ajo nuk zbulon shumën e parave të përcaktuar për dëmshpërblim, duke
vazhduar të thotë se ajo është pjesë sekrete e marrëveshjes. Avokatët mbrojtës këmbëngulën për të thirrur në deponim edhe
kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Greke të Amerikës, Demetrios, madje ata nuk përjashtuan as deponimin në procedurën
gjyqësore edhe të vetë Patriarkut Ekumenik të Kostantinopojës, Bartholomeut. Patrikana e Konstantinopojës ka jurisdiksion
ekleziastik ndaj Kishës Ortodokse Greke të Amerikës, por edhe ndaj Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, të kryesuar
nga Peshkopi Janullatos. Dioqeza e Kryepeshkopit Demetrios në Amerikë ka paguar më shumë se 21 milionë dollarë në pesë vitet e
fundit për viktimat e marrëdhënieve seksuale, konkretisht të pederastisë, sikurse e quan “The National Herald”, të shkaktuara
nga priftërinjtë e saj. Në këtë shumë parash nuk përfshihet pagesa që do të jetë për çështjen “Katinas”. Çështja seksuale
kundër Katinas nisi në fillim të vitit 2005 dhe u bë publike në 2006-n. Prifti në fjalë u largua nga Metropolia e Denver-it, e cila
ishte nën mbikëqyrjen e metropolitit Isaiah, dhe u transferua fillimisht në Dallas, dhe më pas në Kryekishën Ortodokse Greke
të Amerikës, nën mbikëqyrjen e vetë Kryepeshkopit Demetrios.
Rev. Michael Kontogiorgis, asistent- sekretar i kishës, vizitoi Kishën e Shën Trinisë në famullinë Dallas, në Texas, më 21 shkurt
të 2007-s dhe foli për herë të pare dhe publikisht rreth çështjes Katinas, në lidhje me skandalin seksual dhe akuzat e marrëdhënieve
homoseksuale me të mitur të këtij prifti, duke lënë të habitur personat që ishin në këtë mbledhje. Dy vjet më vonë, më 23
shkurt të 2007-s, edhe Dioqeza dha zyrtarisht një lajm duke e quajtur situatën “tragjike” dhe pohoi se “I përndershmi At
Nicholas Katinas, ish-prift i kishës ortodokse greke të Shën Trinisë në Dallas, Texas, u pezullua nga të gjitha funksionet e
priftit, që i kishte mbajtur qysh nga korriku i viti 2006”. Pas hetimit të informacionit për drejtimin e keq të kishës e të
përfshirjes në skandal seksual, At Katinas u pezullua në përputhje me Rregulloren e Dioqezës për sjellje të keqe të klerit. Rezultati
i pezullimit për Katinas është se ai nuk mund të kryejë asnjë funksion të priftëror. Pezullimi është i lidhur me zbatimin e ligjit
të kishës, i cili është i vlefshëm për kishat ortodokse. Zyra e shtypit
e Dioqezës përmendi edhe kryepeshkopin Demetrios, i cili tha se, “kjo është një masë disiplinore e duhur, e cila u mor me
hidhërim dhe dhimbje”. Kryepeshkopi gjithashtu tha se, “ne jemi të fyer nga pasojat që ka sjellë drejtimi i keq i kishës. Ne lutemi
shumë për shërimin e Katinas-it nga përfshirja në këtë situatë tragjike”. Një tjetër çështje serioze që kjo kishe kërkoi t’a mbajë
të fshehur ishte edhe ajo e Stanley Adamakis, i cili vra në vitin 2003 nga një person në krye të kishës Ortodokse Greke në
Amerikë, dhe me të me të cilin Adamakis, thuhet se kishte edhe marrëdhënie imtime. Stanley Adamakis, i cili i përkiste kupolës së
lartë të Kishës Ortodokse Greke në SHBA-së, u shpall fajtor në vitin 1990 me akuzën e ngacmimit seksual të dy fëmijëve. Skandalet seksuale
që kanë përfshirë Kishën Ortodokse Greke të Amerikës kanë lënë një shije mjaft të hidhur në bashkësinë greko-amerikane, e cila
financon shumicën e veprimtarive fetare në vend.