Çfarë reforme zgjedhore pretendojmë nëse ruajmë KQZ-në e Ristanit?
Rekomandimi kryesor që bëri ODIHR pas zgjedhjeve lokale ishte që të ndryshohej formula e përbërjes së KQZ-së, duke e quajtur atë të dështuar pas grabitjes së mandatit në Tiranë.
Ndërkohë Berisha u kërkoi opozitës që të propozojnë se si duan të ndryshojë KQZ. Në njërin prej propozimeve thuhet edhe që një anëtar të KQZ e propozon Avokati i Popullit. Kaq ka mjaftuar që Berisha të recitojë çdo dalje publike, sikur KQZ-në e paska në dorë Avokati i Popullit. Ndërkohë siç tha edhe Gramoz Ruçi, ky ishte një nga shumë propozime, por thelbi është që të mos shkohet në këto zgjedhje me KQZ-në e Ristanit. Por Berisha nuk e përmend kurrë diçka të tillë.
Një tjetër propozim ka lidhje me ankimimet. Bëhet fjalë për një konsensus që mori jetë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 dhe që synonte tu jepte mundësinë dy anëtarëve të KQZ të hapnin kutitë. Edhe pse ishte e shkruar qartë në ligj, Berisha e injoroi atë dhe nuk hapi kutitë duke provokuar krizë pas krize në Shqipërinë e ngecur në vendnumëro pas vitit 2009 sa i përket integrimit. Tani kërkohet që një propozim i tillë të bëhet i zbatueshëm. Dhe shpresojnë më kot që Berisha do heqë dorë. Ai edhe kur ishte e shkruar, e shkeli ligjin.
Po ashtu të bën përshtypje diskutimi për reformën zgjedhore. Mjeshtër për të manipuluar, Berisha po thotë se kërkojnë ti kufizojnë fjalën. Madje shkon më tej kur shprehet i shqetësuar se përse në parlament ai do flasë njësoj sa drejtuesi i opozitës. Opozita është inferiore, nuk ka si të jetë ndryshe për këtë kryeministër. Edhe fjalën, të vetmen mundësi që ka opozita, do që tia heqë. Kurse opozita i kujton se kur ai ishte vetë në rolin e tyre para tetë vitesh, fliste sa herë donte, sa donte dhe askush nuk ia ndërpreu fjalën.