Braçe: Mejhanën me emrin Kuvend e ka marrë peng Irfani i birrës
Deputeti socialist, Erion Braçe, gjatë seancës së sotme tha se Kuvendi është marrë peng nga tregtarët e birrës. Sipas tij, është ndryshuar dhe futur në rend dite, kur ishte për tu diskutuar 5 javë më parë, ligji Për Akcizat, pas presionit të një tregtari birre, Irfan Hysenbelliu, që ka imponuar këto ndryshime.
Ky nuk është Kuvend, thjesht është mejhane! Madje mejhane që e merr me qera kushdo tregtar, politik apo i biznesit.
Ja pse: Në 10 e 04, shpërndan një rend dite; pas 4 minutash shpërndan një rend dite të ri, krejt i ndryshëm nga i pari dhe për të cilin deputetët nuk janë në dijeni!
Troç, kanë shtuar ligjin “Për Akcizat”! Ligji “Për Akcizat” ka qenë para 5 javësh në rend të ditës, u zhduk nga rendi i ditës pa asnjë shpjegim!! Në fakt e bllokoi tregtari i birrës Irfan. Sot u fut në rendin e ditës sepse u bë ndryshimi që kërkonte tregtari i birrës Irfan. Kështu mejhanen e mori me qera dhe tregtari! Ky është turp! Maxhoranca dhe qeveria u nënshtrua nga tregtari, por është tërësisht e pandjeshme ndaj qindra prodhuesve të vegjël të verës e rakisë akciza për të cilët rritet, e pandjeshme ndaj qindra mije bujqve për të cilët nuk ulet akciza, d.m.th mbeten nën efektin e çmimit 1900 lekë të naftës për punën e tokës!!
Ky sështë më Kuvendi i Popullit! Ndërkohë nga rendi i ditës hiqen dy interpelancat e lajmëruara dje dhe vendoset një e re, me Kryeministrin, pa lajmëruar hiç deputetin. Në anë tjetër, Kryeministri refuzon prej tre javësh dy interpelanca më të hershme në kohë, njëra për shfrytëzimin kriminal prej mafias në Bulqizë! Kështu tregtari politik mori me qera sërish mejhanen, tha deputeti socialist.
