E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxha u heq gradat ushtarakëve, Çakon e bën “ekonomist”

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Tiranë, 30 gusht 1966 - Profesionalizmi në institucionin ushtarak shqiptar është vendosur në një pozicion dytësor në krahasim me ideologjinë dhe ekonominë e vendit. Një zhvillim i tillë bëhet i dukshëm nga lajmet e fundit të shtypit vendas që ka nisur të botojë artikuj me një sinqeritet të pazakontë. Ky është rezultati i masave “revolucionare”, të cilat u shpallën më parë në “Letrën e Hapur” të 4 marsit, që preknin dhe institucionin ushtarak mes sektorëve të tjerë të jetës së vendit. Si rezultat i masave të reja, gradat ushtarake u hoqën, u prezantua një uniformë e re dhe komisarët politikë u rivendosën në aparatin ushtarak. Për më tepër, buxheti financiar për mbrojtjen këtë vit u ul me 6.5 për qind. Një dëshmi e këtyre ndryshimeve që i kanë kthyer forcat e armatosura shqiptare në pothuajse një organizatë vetëmbrojtëse, erdhi nga një artikull i organit partiak “Zëri i popullit” më 16 gusht. Ka shumë pak dyshime se objektivi kryesori i këtyre masave është shndërrimi i makinerisë ushtarake shqiptare në një organizatë revolucionare (partizane). Autori i artikullit që e kishte titulluar “Partia ngulit dëshirën revolucionare në shpirtin dhe zemrën e ushtrisë”, është kryetari i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Popullore Shqiptare, Hito Çako. Grada e tij ushtarake përpara se të hiqeshin përfundimisht nga shteti ishte gjeneralmajor. Vetëm disa vjet më parë ai ishte zëvendëskryetar i Drejtorisë Politike. Për shkak të pushtetit që i ofron pozicioni aktual, ashtu siç tregohet nga titulli, Çako duket se ka fituar një pozitë të konsiderueshme politike në forcat e armatosura. Në kurriz të kujt e ka arritur ai këtë pozitë është ende e pamundur për ta thënë. Deri korrikun e fundit, kur një delegacion ushtarak kinez vizitoi Shqipërinë, emri i Hito Çakos ishte regjistruar në çdo rast pas emrave të udhëheqësve kryesorë ushtarakë të vendit, si: Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Kadri Hazbiu, respektivisht, ministër i Mbrojtjes, shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe ministër i Brendshëm. Konsolidimi i mëtejshëm i pushtetit tek ushtria shpjegohet nga Çako me fjalët e mëposhtme: “...ne do të arrijmë detyrat e reja në fushën e ekonomisë dhe do të vazhdojmë të shtojmë inteligjencën ushtarake në të gjithë forcat e armatosura. Këtë ne do ta bëjmë duke i dalë punës përpara me gjoks dhe zemër, ashtu siç na ka mësuar shoku Enver. Kjo do ti transformojë forcat tona të armatosura në një instrument të fuqishëm në duart e partisë dhe popullit, si nga pikëpamja ideologjiko-ushtarake ashtu edhe nga ajo ekonomike”. Çako theksin më të madh e vuri mbi ekonominë. Shumë interesante në këtë kontekst është zbulimi se forcat e armatosura shqiptare nisën të marrin masa në këtë fushë që në vitin 1961, kur ato u bënë të nevojshme pas tërheqjes së të gjithë ndihmës sovjetike nga vendi. Kjo tregon edhe një herë tjetër se vështirësitë e mungesave materiale me të cilat është përballur ushtria shqiptare ato ditë nuk ishin të neglizhueshme në asnjë mënyrë. Sipas Çakos, puna e bërë nga ushtria në fushën ekonomike gjatë periudhës 1961-1965 “përfaqëson kohën më të rëndësishme në të gjithë historinë 23-vjeçare të ushtrisë shqiptare”. Hitoja, duke shtuar më pas detaje më të hollësishme, tha: “Rritja e veshmbathjeve, e bazës materiale për qëllime kualifikimi, e mjeteve të jetesës, e prezantimit të inventarizimit në mensa dhe depo, ulja e shpenzimeve për lëndën e parë, rivlerësimi i konsumimit të karburantit, ulja e kostove të iniciativave ekonomike ushtarake, zëvendësimi i artikujve të kushtueshëm me më pak të kushtueshëm etj, u shtuan kursimeve të shtetit 100 milionë lekë gjatë planit të tretë 5-vjeçar”. Mbështetja e iniciativave ekonomike, të cilat janë pjesë e forcave të armatosura, u lavdëruan se kanë qenë një ndihmesë shumë e madhe për ekonominë e vendit. Çako përmendi se të tilla sipërmarrje kishin prodhuar në vitin 1965 në krahasim me 1961, 250 për qind më shumë perime. Shtrirja e rolit ekonomik që do të luajnë forcat e armatosura në ekonominë kombëtare gjatë viteve 1966-1970 u theksua kur Çako përmendi se forcat e armatosura kishin marrë vetë përsipër që të prodhonin për institucionin e tyre gjatë kësaj periudhe “jo vetëm për të plotësuar kërkesat për bukë, mish dhe perime, por dhe furnizimin e shtetit me sasi të konsiderueshme qumështi, drithëra, fruta dhe vezë”. Çako u vuri një theks të madh dhe mënyrave se si forcat e armatosura po përpiqen të rrisin prodhimin e patateve. Natyra primitive e aparatit ushtarak të ushtrisë shqiptare u theksua më tej kur Hito Çako tregoi masat e marra në fushën e strehimit. Ai deklaroi se në mënyrë që të lehtësonte situatën e vështirë të strehimit në vend, “ishin marrë masa së fundmi që ti kthenin ndërtesat e zyrave dhe disa baraka ushtarake në streha familjare. Si rezultat, 350 apartamente iu siguruan familjeve të ndryshme”. Duke pohuar se njësi të ndryshme ushtarake ishin duke ndërtuar shtëpi banimi apo ndërtime të tjera në një mënyrë “të thjeshtë dhe primitive”, Çako më pas sugjeroi se “një punë e ngjashme duhet të kryhet nga partia dhe shteti në nivel lokal për të ndërtuar zyra për sipërmarrje të ndryshme”. Eksperti ushtarak, i kthyer në një strateg ideologjik, e përfundoi artikullin e tij duke numëruar një listë sloganesh të njësive të ndryshme ushtarake që janë krijuar për të mbështetur punët e tyre. Nuk ka asnjë informacion që të tregojë nëse masat e marra në këta sektorë të forcave të armatosura janë shoqëruar dhe me uljen e gradave. “Letra e Hapur”, sidoqoftë, tregoi se uljet në gradë po merreshin parasysh, sidomos për oficerët. Letra përfundonte duke shpjeguar masat e parashikuara në ushtri. Ka shenja të shumta që tregojnë se forcat e armatosura shqiptare i janë nënshtruar një ristrukturimi në një mënyrë shumë të ngjashme me karakteristikat e reformave kineze në këtë fushë. Ska dyshim që masa të tilla kanë krijuar pakënaqësi të mëdha në qarqet e mesme dhe të larta ushtarake të vendit. E vërteta është se gjatë historisë 23-vjeçare të këtij institucioni janë shfaqur shumë pak shenja kundërshtimi apo revolte në ushtrinë shqiptare, e për më tepër nuk ka shumë shanse të ndodhë nën sundimin e Hoxhës dhe shokëve të tij.

Ky lajm është publikuar: 10/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›