E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini sot në Tiranë për liberalizimin e vizave

Autori i Lajmit: Redaksia
Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku do të takohet me autoritetet më të larta të vendit. Procesi i liberalizimit të vizave dhe integrimi i Shqipërisë në BE, do të jenë çështje kryesore të axhendës së kryediplomatit italian, që njihet si një lobues i fuqishëm i aspiratave të Shqipërisë për integrimin europian.
Axhenda e vizitës disaorëshe në Tiranë të Ministrit Frattini do të nisë me një takim me Zv.kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Pas takimit dy homologët do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët shtypi për mediat.
Takimet e ministrit të Jashtëm italian do të vijojnë me Kryeministrin Sali Berisha me të cilin do të japë dhe një deklaratë për shtyp dhe rreth orës 13:00 me Presidentin e Republikës, Bamir Topi.
Temë e diskutimeve me personalitetet më të larta të shtetit shqiptar do të jenë dhe çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe bashkëpunimit rajonal.
Italia është pozicionuar qartë si avokate e integrimit të Shqipërisë në BE dhe liberalizimit të vizave për shqiptarët. Kreu i diplomacisë italiane, Franco Frattini mbetet një nga mbështetësit më të fortë të vokacionit europian të shqiptarëve.
Kjo është vizita e katërt e kryediplomatit italian, Franco Frattini, i cili e ka vizituar më parë vendin tonë edhe në cilësinë e Zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian për Çështjet e Sigurisë dhe Drejtësisë.
Në 17 nëntor 2006, z. Frattini, atëhere Zëvendëspresidenti i KE-së, mori pjesë në Forumin e Ministrave të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor mbi drejtësinë dhe punët e brendshme, që u zhvillua në Tiranë. Gjatë kësaj vizite, ai u nderua me titullin "Honoris Causa" nga Universiteti i Tiranës, për kontributin e shquar në fushën e Drejtësisë dhe të Integrimit Europian të Shqipërisë.
Hapja e dialogut politik të Bashkimit Europian me Shqipërinë për liberalizimin e regjimit të vizave (7 mars 2008), solli sërish në Tiranë Frattini.
Në 27 tetor 2008, Franco Frattini vizitoi vendin tonë, në cilësinë e Ministrit të Jashtëm të Italisë. Gjatë kësaj vizite u nënshkruan edhe 5 marrëveshje të rëndësishme ekonomike dhe kontrata bashkëpunimi mes dy vendeve.
"Italia do të vazhdojë të mbështesë me bindje dhe me një energji akoma dhe më të madhe rrugën e integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë", deklaroi zFrattini gjatë kësaj vizite, duke pohuar se rruga drejt BE-së varet nga reformat dhe rezultatet që Shqipëria do të dijë të arrijë.

Ky lajm është publikuar: 12/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›