Shifrat e INSTAT: Shqipëria shënon rritje të fortë ekonomike në muajt e parë të 2011

Sipas Institutit të Statistikave, në tre muajt e parë, ekonomia është rritur me 3.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që bën përshtypje rritja e industrisë, e sektorit të ndërtimit si dhe e bujqësisë. Shifrat pritet të përmirësohet me prurjet e turizmit si dhe me futjen në treg të prodhimeve bujqësore vendase
Instituti i Statistikave konfirmon rritjen ekonomike për tre muajt e parë të vitit 2011. Sipas rezultateve të këtij institucioni, ekonomia është rritur me 3.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndër sektorët që kanë pësuar rritje është sektori bujqësor, ai industrial, si edhe ndërtimi. Industria, ndërtimi dhe sektori i transportit kanë dhënë ndikimin më të madh në rritjen ekonomike gjatë këtij vitit. Në analizën për periudhën janar - mars 2011, del se rritje ekonomike krahasuar me një vit më parë është 3.4 për qind. Instituti i statistikave ka njoftuar se rritja nuk është me këtë ritëm krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti. “Gjatë këtij 3-mujori ekonomia u rrit me 3.4 për qind krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2010 dhe me 1.2 për qind krahasuar me 3-mujorin e katërt të po këtij viti. Sektori industrial shënoi një rritje prej 12.4 për qind krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit që lamë pas dhe një rënie 0.4 për qind krahasuar me tre mujorin e katërt. Aktiviteti i transportit në 3-mujorin e parë të 2011-ës shënoi një rritje me 13.3 për qind”, tha Ledion Shahini, shefi i PBB tremujore, INSTAT. Kriza ekonomike dhe mungesa e likuiditetit duket se ka prekur disa prej sektorëve më të ndjeshëm, aty ku edhe konsumi nuk është i nevojshëm. “Dega e post komunikacionit shënoi një rënie prej 5.1 për qind krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2010. Grupi “shërbime të tjera” në tre mujorin e parë të vitit 2011 ra me 0.6 për qind”, tha Shahini. Çdo tremujor, Instituti i statistikave publikon rritjen ekonomike. Në fund të vitit këto katër rezultate japin dhe rritjen ekonomike. Qeveria ka deklaruar për një rritje prej 5 për qind gjatë këtij viti, ndërkohë që FMN jep shifrën 2.7 për qind.