Pasuria ujore e Shqipërisë në rrugën e shndërrimit në një fuqi energjetikë dhe forcë eksportuese për ekonominë
Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e përfundimit të fazës së parë të punimeve të Hidrocentralit të Ashtës, një diamanti të teknologjisë së lartë që do të prodhojë rreth 200 milionë kilovatorë në vit. Ndërtimi mundësohet nga dy kompani austriake, Verbund dhe EVN
Kryeministri Sali Berisha shprehu dje vendosmërinë e maxhorancës qeverisëse që pasuritë e mëdha ujore të vendit, të shndërrohen në vlera të mëdha energjetike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sipas Kryeministrit, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të bëhet superfuqi energjetike në rajon. Këtë garanci, Kryeministri Berisha e ripërsëriti ndërsa mori pjesë dje në ceremoninë e arritjes së kuotës maksimale të stacionit elektrik të Hidrocentralit Ashta 1, që shënon përfundimin e fazës së parë të punimeve për këtë Hidrocentral, pjesë e projektit, i cili po vihet në zbatim nga kompania austriake “Energji Ashta” një kompani e përbashkët e kompanive austriake VERBUND AG Hydro Power dhe EVN. Në këtë ceremoni, së bashku me Kryeministrin Berisha merrnin pjesë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, drejtues të bordit të kompanive austriake VERBUND AG Hydro Power dhe EVN, përfaqësues të autoriteteve lokale, ambasadori austriak në Tiranë, punonjës të kompanive, etj. Duke përshëndetur ceremoninë, kryeministri Berisha u shpreh se kjo ditë është një ditë e madhe në përpjekjen e shqiptarëve për të shndërruar në realitet ëndrrën më të bukur të çdo shqiptari, Shqipëria - vend i zhvilluar. Gjatë ceremonisë së përurimit të hidrocentralit Ashta 1, projekt i kompanive austriake Verbund dhe EVN, Berisha u shpreh se në zhvillimin e një vendi, energjia është forca lëvizëse e të gjitha fushave. “Në zhvillimin e një vendi, energjia është themeli i të gjitha themeleve, është forca lëvizëse e të gjitha fushave. Për qeverinë kjo është dhe mbetet përparësia e të gjitha përparësive. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që pasuritë e mëdha ujore të këtij vendi të shndërrohen në vlera të mëdha energjetike për Shqipërinë e shqiptarët. Shqipëria ka pasuri të gjithanshme, të shumta, por gjithnjë mbetem i bindur se pasuria e saj më e madhe natyrore janë ujërat e bollshme, të pasura që e bëjnë këtë vend të vogël një Norvegji të dytë të vogël, në gadishullin e Ballkanit”, tha gjatë ceremonisë së djeshme Kryeministri Berisha. Më tej, kreu i ekzekutivit vlerësoi se në këtë hidrocentral përdoret për herë të parë teknologjia më e avancuar e prodhimit të energjisë ujore. Berisha e cilësoi HEC-in e Ashtës, unik në llojin e tij, pasi sipas tij edhe pse nuk është më i madhi , është një diamant i ndërtuar në kurorën e qindra HEC -ve në vend. “Hidrocentrali që përurojmë sot fazën e parë është gjithashtu, jo vetëm për shkak të teknologjisë, por edhe për parametrat unikë në llojin e tij, nuk është më i madhi apo ndër më të mëdhenjtë, por është më i miri se çdo hidrocentral tjetër i ndërtuar, është një diamant e do të mbetet i tillë në kurorën e qindra hidrocentraleve që do të ndërtohen në këtë vend”, u shpreh Kryeministri. Ai shtoi se qeveria ka bërë përpjekje të mëdha që rezervat ujore të Shqipërisë të shndërrohen në vlera energjetike për qytetarët dhe vendin. “Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha që rezervat ujore të Shqipërisë të shndërrohen në vlera energjetike për qytetarët e vendin. Gjatë dy-tre viteve të fundit, ne kemi firmosur me sektorin privat, kontrata për ndërtimin e 220 hidrocentraleve në të katër të vendit. Në 36 prej tyre po punohet me intensitet. Problemi i tyre është vetëm një, se nuk janë përreth Sheratonit e Rognerit. Ato janë të vendosura në zona nga më të bukurat, por valët e televizorëve nuk i kapin ato. Ndaj i bëj thirrje mediave të jenë më të ndjeshme ndaj Shqipërisë së lumenjve të djersës. Në një vit shihni se çfarë kanë bërë punëtorët, inxhinierët e teknikët në këtë kantier ndërtimi. Është e rëndësishme që qytetarët shqiptarë të njohin gjithnjë e më shumë vendin e tyre”, vijoi më tej Kryeministri Berisha. Duke shprehur vendosmërinë për inkurajimin e ndërtimit edhe të mbi 443 hidrocentraleve në vend, Berisha bëri të ditur se EVN po punon dhe në kaskadën e Devollit. “Nuk është e rastit që kjo kryevepër energjetike në teknologjinë e saj ndërtohet nga kompanitë më të mira austriake. Ko ishte një garë e hapur, me transparencë të plotë absolute, ku morën pjesë kompani nga mbarë Europa, por fitoi konsorciumi VERBUND-EVN, sepse solli ofertën më të leverdishme për qytetarët shqiptarë. EVN po punon edhe në kaskadën e Devollit”, shtoi Kryeministri. Ai përgëzoi drejtuesit e bordeve të kompanive austriake për punën e bërë. Sipas tij, biznesi austriak është i treti në Shqipëri në investimet e tij, deklaroi kryeministri, duke u parashikuar një të ardhme të shkëlqyer në bashkëpunimin ekonomik, kulturor, politik dhe të gjithanshëm me Austrinë. “Biznesi austriak është sot i treti në Shqipëri në investimet e tij. Ky investim është rreth 200 milion euro. Unë shoh një të ardhme të shkëlqyer në bashkëpunim ekonomik, kulturor, politik e të gjithanshëm me Austrinë mike. Tradita e tyre në energjinë e rinovueshme dhe atë ujore është jashtëzakonisht e çmuar për Austrinë, për Shqipërinë, por edhe për mbarë Europën.”, vijoi më tej kreu i Qeverisë. Me “Ashta 1” përfundon faza e parë e projektit për ndërtimin e dy hidrocentraleve “Ashta 1” dhe “Ashta 2” në zonën e Bushatit, në Shkodër, një investim me vlerë rreth 200 milion euro, që aplikon teknologjinë më të avancuar në prodhimin e energjisë ujore. Në të ardhmen në Ashtë do të prodhohen 240 milion kwh energji elektrike. Nga viti 2012, energjia elektrike e prodhuar do të ushqehet në rrjetin shqiptar 110 kV. Projekti i HEC të Ashtës mbështet mekanizimin e Zhvillimit të Pastër (CDM), në kuadër të Konventës Kombeve të bashkuara mbi ndryshimet klimatike (UNFCCC)