Fund pluralizmit fals
Pluralizmi politik në Shqipëri u transformua në mjet për të parazituar kaq shumë politikanë, që jo vetëm nuk kanë elektorat të qëndrueshëm, por që as vetë nuk kanë arritur asnjëherë të fitojnë me votat e tyre. Në këtë kontekst, Reforma Zgjedhore është “ilaçi demokratik” për të skualifikuar një duzinë të partive pa elektorat, liderët pretenciozë, që kapardisen kot së koti nëpër auditorët e politikës së madhe duke tjerrur fraza. Koha do të vërtetojë të kundërtën e asaj që profetizojnë këta pseudo- liderë, të cilët po bëjnë gjithçka për të penguar apo ndryshuar “modalitetet homogjenizuese të politikës shqiptare që do të modernizojë spektrin politik, duke e bërë atë të dobishëm dhe jo parazitar.
Partitë e mëdha nuk mund të bëjnë asnjë hap pas, as nuk duhet t’u nënshtrohen presioneve dhe përpjekjeve për ndërhyrje korrigjuese në Kodin Zgjedhor, që do të miratohet në muajin shtator në Parlament. Partitë e vogla, nuk kanë më rrugë tjetër, veç të inkorporohen deri në shkrirje në partitë e mëdha homologe të spektrit të tyre. Qoftë për të majtët apo të djathtët e vegjël, nuk ka rrugë tjetër.
Vendimet e Parlamentit shqiptar të 21 Prillit japin mundësi të ndërtohet një spektër politik më i qartë, më homogjen dhe pa komplikacionet e shëmtuara të qeverisjeve nën presion, qoftë të të majtëve apo të djathtëve.
Tipologjia e pluralizmit që kërkojnë të ruajnë të paprekur disa parti, ka të bëjë vetëm me një gjë: alarmin e tyre nga reforma. Sepse tani me forcat e tyre dhe pa mekanizma dhe alambikime elektorale të sajuara me “gjethe dushku”, ato duhet të vërtetojnë peshën e tyre reale politike, ose në mënyrë të pashmangshme do të pësojnë hamogjenizimin dhe shkrirjen spektrale brenda ngjyrimit të tyre politik, por duke humbur me të drejtë ekzistencën individuale, për hatër të “pluralizmit fals”.
Koha po vërteton se kjo tipologji dhe ky model kaq i fragmentuar dhe jo homogjen i pluralizmit partiak në Shqipëri, është një nga shkaqet kryesore që demokracia vazhdon të jetë e brishtë, problematike, konfliktuale dhe e pastabilizuar.
Koha kërkon që politika të reduktojë për të gjithë arsyet politike, morale dhe ekzistenciale partitokracisë parazitare, që është bërë e tepërt dhe e shëmtuar në këtë vend. Demokracia jonë nuk ka aq shumë “kolor politik” sa të pasqyrohet në një spektër kaq të gjerë. Madje ajo nuk ka nevojë për kaq shumë të ashtuquajtur politikanë, që më shumë se e kanë ndihmuar ecjen e demokracisë, janë bërë pengesë serioze për të, duke qenë njëherësh shumë të kushtueshëm dhe tejet të panevojshëm.
Politika nuk është strehë për kapriço liderësh, që jetojnë në politikën tonë vetëm në sajë të një rezistence dhe reminishence të mentalitetit ballkanik. Demokracia nuk ka nevojë për “feudalë”. Ndaj gjykojmë se ridimensionimi i spektrit të politikës sonë, homogjenizimi i raportit midis qeverisjes dhe opozitës në zgjedhjet e vitit 2009, do të jetë një nga fitoret më të mëdha dhe me shumë vlera për shoqërinë, demokracinë dhe politikën shqiptare.
Pavarësisht fjalëve dhe sensibiliteteve për një marrëveshje midis dy partive të mëdha dhe liderëve të tyre, edhe sikur ajo të jetë e vërtetë është një “hop” për politikën tonë dhe natyrisht edhe një meritë e liderëve të tyre, qoftë të jenë “marrë vesh” apo të kenë “interferuar në distancë”. Në se është kështu, ideatorët e reformës elektorale kanë meritën e madhe që i kanë shërbyer modernizimit të politikës, pikërisht në kohën e duhur. Përkundrazi në se ata dhe partitë që drejtojnë do të tërhiqen nga presionet e aleatëve, kjo jo vetëm do të jetë një “veprim retrograd” politik, por do të ketë edhe pasoja jo të mira për të ardhmen e demokracisë shqiptare, duke e mbajtur atë në një “gjendje kaosi”, në dallgët e “pluralizmit fals”.
Me siguri që kjo nuk ka për të ndodhur, nëse liderët e partive të mëdha, do të mendojnë për herë të parë si politikanë vizionarë, përtej “parcelave politike” dhe natyrisht, pavarësisht llogarive pragmatiste dhe meskine për zgjedhjet elektorale të vitit që vjen. Zgjedhje do të bëhen vazhdimisht, ndërsa sistemi zgjedhor do të mbetet për një kohë të gjatë. Këtë moment historik nuk duhet ta humbasë politika dhe demokracia e këtij vendi të vogël ku jetojmë.