E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i DASH, PS: Shuplaka e radhës për qeverinë

• Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për drogën dhe korrupsionin në Shqipëri ka përplasur sërish maxhorancën dhe opozitën në Kuvend.ADI SHKEMBIGjatë diskutimeve për çështjet jashtë rendit të ditës, deputetët e majtë kanë kritikuar qeverinë për nivelin e lartë të korrupsionit dhe të përfundimeve të raportit se, Shqipëria është një vend transit i drogës nga Azia në Evropë. Deputeti Taulant Balla tha në fjalën e tij se, raporti i këtij viti është i njëjtë me atë të katër viteve më parë ku theksohet pikërisht fakti se Shqipëria është rrugë kryesore e kalimit të drogës për në Evropë. Sipas deputetit socialist, megjithë pretendimet e qeverisë, asgjë nuk ka ndryshuar nga periudha kur në pushtet ka qenë Partia Socialiste. Nga tjetër zv/kryeministri Oketa ka vënë theksin te progresi i evidentuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit përsa i përket progresit të policisë. "Policia shqiptare vazhdon të bëjë progres në operacionet e saj kundër narkotikëve si pasojë e rritjes së teknologjisë, rritjes së kapaciteteve", theksoi Oketa në fjalën e tij. Sipas zv/kryeministrit, nuk është vetëm Shqipëria vendi që ka probleme me drogën, por edhe Austria, Belgjika dhe Bullgaria, megjithëse janë vende të Bashkimit Evropian, kanë të njëjtat probleme. Por fjala e Oketës është ironizuar nga ish-ministri socialist Marko Bello, i cili i ka kërkuar Kuvendit të ngrejë një komision hetimor për problemet me drogën që kanë këto vende. Sipas Bellos, raporti i Departamentit të Shtetit, është shuplaka e radhës që institucionet ndërkombëtare i japin qeverisë shqiptare. "Raporti i DASH mbi trafiqet, korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri ishte shuplaka e radhës në fytyrën e copëtuar të qeverisë më të paaftë dhe më dështake të shtetit shqiptar. Flamuri i luftës kundër korrupsionit me të cilin erdhi në pushtet Berisha, nuk mund të gënjejë më askënd. Në raport thuhet e zezë mbi të bardhë se, korrupsioni mbetet një problem me rrënjë të thella në Shqipëri. Lufta kundër korrupsionit ka dështuar tërësisht", theksoi Bello. Ndërsa ministri i Brendshëm, Bujar Nishani tha në fjalën e tij se, droga e sekuestruar si nga Italia dhe nga Greqia tregon për një treg që sa vjen dhe dobësohet për sa i takon këtij trafiku që vjen nga Shqipëria drejt këtyre vendeve, çka, sipas ministrit, demonstron një sukses të përpjekjeve të Shqipërisë. "Raporti thotë se në vitin 2007 policia dhe gjyqësori janë bërë më aktiv në hetimin për korrupsionin e zyrtarëve qeveritarë dhe personelit në zbatim të ligjit. Numri i procedimeve penale për korrupsion u rrit 55% më shumë në krahasim me vitin 2005. Autoritetet shqiptare i kanë dhënë informacione inteligjence autoriteteve italiane të cilat kanë bërë të mundur arrestimin e shpërndarëve të drogës dhe anëtarëve të krimit të organizuar", theksoi Nishani. Ndërsa kreu i PAD-së, Neritan Ceka kërkoi që Policia e Shtetit dhe SHISH të punojnë larg ndikimit të qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›