E Diel, 1 Nëntor 2026

Çipi-Leci: “Arbitrimi në Shqipëri shumë skandaloz”

Sokol Paja
Ndeshja mes Tiranës dhe Flamurtarit ka qenë edhe ndeshja më e diskutuar rreth arbitrimit dhe incidenteve që e shoqëruan këtë takim. Një prej protagonistëve të këtij episodi ka qenë edhe mbrojtësi Leci i Flamurtarit, i cili është nxjerrë nga loja për protesta. Pakënaqësia ndaj arbitrimit dhe gjykimit të shëmtuar që i është bërë ndeshjes, ka bërë që të gjithë të protestojnë hapur dhe mjaft ashpër ndaj vendimeve absurde dhe të pakuptueshme të arbitri Mentor Sopjani, i cili është "kryqëzuar" edhe herë të tjera për gjykim të dobët. Drejtori teknik i Flamurtarit, Geri Cipi, ka deklaruar se gjykimi skandaloz që po i bëhet ndeshjeve në kampionatin shqiptar të bën të mendosh, gjë që edhe shihet qartë, se të tillë arbitra po e shkatërrojnë futbollin. "Kur po bëhen pazare edhe në kombëtare e pastaj në klube, cfarë pret? Gjithcka është bërë Pazar, dhe kjo është shumë e dëmshme për futbollin", thotë Cipi. Në një linjë mendimi me ish-mbrojtësin e kombëtares është edhe futbollisti i ndëshkuar maksimalisht në ndeshjen që ekipi i Flamurtarit humbi ndaj Tiranës, Liridon Leci. Ai hedh akuza shumë të rënda ndaj arbitrave, të cilët po e dëmtojnë futbollin dhe skuadrat e vogla, duke favorizuar skuadrat e mëdha. "Arbitri ishte shumë tendencioz dhe në cdo vendim kundër ekipit tonë. Me këtë arbitrim është e kotë të merremi me sport. Po na shkatërrojnë nervash, po na ikën truri. Në 60 përqind të rasteve, arbitri na ndëshkoi shumë rëndë dhe për këtë e patë të gjithë ju, ai na përsekutoi dhe nuk po merret asnjë masë kundër tyre, deri kur kështu, me këtë arbitrim skandaloz? Nuk kuptohet pse po na hanë hakun kështu, kaq hapur", ka thënë i dëshpëruar mbrojtësi kosovar i Flamurtarit, Liridon Leci. Pas marrjes së masave ndëshkuese ndaj arbitrave Lapi e Guce, ka shumë mundësi që edhe Sopjani të dënohet për atë arbitrim që, për hir të së vërtetës, ishte mjaft i dobët dhe lë shumë hije dyshimi në mjaft raste.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›