E Diel, 1 Nëntor 2026

Zeqo: Vlonjatët duan me çdo kusht ti prishin bukurinë futbollit

Nga LEONARD TREBICKA

Reagon presidenti Agim Zeqo pas ndeshjes, duke dënuar së pari incidentin dhe duke deklaruar se u pa edhe një herë kush ishte Flamurtari

Nga të dy kampet, ai korçar dhe ai vlonjat, pas ndeshjes së djeshme kanë dalë versione të ndryshme për mediat. Ndërkohë që pas ndeshjes më shumë se i kënaqur për këtë fitore të të tijve ka qenë presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo, i cili ekskluzivisht për Sportin shqiptar do të deklaronte: Në radhë të parë, dua të përshëndes ekipin tim dhe stafin drejtues për lojën dhe shpirtin e garës që treguan në përballjen e sotme (të djeshme) ndaj Flamurtarit.

U bënë dy ndeshje radhazi me vlonjatët që ne falë aftësive tona dhe besimit që kemi, përmbysim gjithçka, nga disavantazh në avantazhin tonë. U ndërshkuam shumë shpejt, madje që në minutën e dytë, me një goditje standarte, por më pas e kontrolluam komplet lojën gjatë gjithë kohës dhe krijuam shumë raste të pastra për të shënuar.

E tillë ishte edhe pjesa e dytë e ndeshjes, ku ne u treguam më të saktë se Flamurtari dhe jo vetëm që barazuam shifrat, por arritëm deri atje sa të kalonim edhe në avantazh. Fatkeqësisht, sa herë që ne kalojmë në avantazh, vlonjatët nuk gjejnë dot forca të reagojnë në fushë dhe duan me çdo mënyrë që të prishin bukurinë e futbollit, gjë që e panë fare qartë edhe në fushën e Pogradecit.

E them jo vetëm unë, por të gjithë ata që e kanë parë ndeshjen në fushën e blertë, ka pasur gjatë gjihë 90 minutëshit, një fair-play të vërtetë. Problemi i vetëm dhe që vijon të jetë, me keqardhje, vjen vetëm nga stafi i tyre. Është vërtet e pakuptueshme që ish-trajneri ynë (Shkëlqim Muça), shan me fjalor të ulët dhe krejt banal zv/trajnerin tonë, Lorenc Hysi, vetëm e vetëm me synimin që të krijonte incidente.

Çfarë mund të themi më shumë se kaq, kur të gjithë e kanë parë në ekranin e televizionit dhe e panë shumë mirë se kush ishin kampionët dhe kush janë ata që vetëm duan të fitojnë. Duke mos na mundur dot, nuk durojnë dhe acarohen me veten, duke dashur që të prishin vërtet futbollin.

Incidenti Duke vijuar më tej fjalët e tij, presidenti Zeqo, në lidhje me goditjen e anësorit, ka deklaruar: Incidenti që ndodhi me gjyqtarin anësor, kushdo qoftë ai që do ta ketë bërë është një akt i turpshëm. Mos harroni se tifozëria jonë nuk kishte arsye që të bënte diçka të tillë, pasi ne ishim në avantazh.

Mos harroni se na u anulua një gol dhe nuk na u dha edhe një penallti, por nuk pati asnjë reagim negativ nga tifozëria korçare, që ka mbështetur ekipin në mënyrën më të mirë të duhur. Më thoni, për çfarë arsye mund të reagonim ne kaq keq, kur ishim në avantazh? Pavarësisht nga kjo, ky ishte një problem që ka të bëjë me arbitrat dhe përgjegjësit e tyre dhe jo me ekipet në fushën e lojës.

Ata vendosin në raste të tilla, do të vazhdojë apo jo loja dhe nuk ishin vlonjatët apo ne ata që duhet të merrnim një vendim të tillë. Nëse do të ishte kaq kollaj, që një i çmendur me veprimin e tij mund të vendoste vazhdon apo jo loja, atëherë nuk do të kishte më futboll dhe do të krijonte precedent të keq.

Në këtë mënyrë, mos u merrni shumë me amullinë që duan të hedhin vlonjatët, pasi ata këtë do të bëjnë. Nuk kanë se çfarë të bëjnë gjë tjetër pas asaj humbjeje dhe loje shumë të dobët , që zhvilluan ndaj nesh. Edhe një herë i falënderoj të gjithë lojtarët e mi, që dhanë më të mirën në fushën e lojës, – mbyll prononcimin e tij të djeshëm presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›