E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çiro Ferrara refuzon kritikat: Nuk e kam menduar dorëheqjen

Juventusi vazhdon të jetë në qendër të kritikave, por Çiro Ferrara nuk është dakord. Trajneri bardhezi kundërpërgjigjet ndaj çdo ngacmimi, madje në disa raste përdor edhe "stilin" e Zhoze Murinjos: nuk dorëzohet, mbron lojtarët dhe flet për marrëdhëniet e mira me klubin. "Nuk e ndjej se më rrezikohet posti, ishte një prej frazave të tij. Kurrë nuk e kam menduar dorëheqjen". Mesazhi është i qartë, Ferrara është i zemëruar dhe kjo duket haptazi. Nga pamja duket sikur është i gatshëm të zbresë personalisht në fushë kundër Barit, pasi një prej problemeve më të mëdha të Juves në këtë sezon është mbrojtja. Kundër Bordosë, Interit dhe Bajernit, reparti difensiv ka pësuar gola nga topa joaktivë, megjithatë kjo nuk është pika e vetme e dobët. Kritikat ndaj trajnerëve janë pjesë e lojës. Ferrara kundërpërgjigjet ashpër ndaj atyre që tregojnë "njëanshmëri", ndërsa pranon, edhe pse jo me dëshirë, të tjerat. Ashtu si në kohën kur ishte futbollist, ai përqendrohet më shumë te loja mbrojtëse. "Njerëzit e fortë dhe inteligjentë duhet të reagojnë. E kam thënë gjithmonë, që duhet të shohim përpara në çdo situatë. Duhet të durojmë kritikat, por duke refuzuar ato që janë të njëanshme ose dashakeqëse. Të tjerat janë pjesë e lojës, pas eliminimit nga Champions nuk mund të presim lëvdata. Edhe në fillim të kampionatit, pavarësisht katër fitoreve radhazi, gjithmonë jemi kritikuar për rastet që krijonin kundërshtarët tanë. Këtu llogaritë nuk dalin. Skuadra ka zhvilluar ndeshje të shkëlqyera, por shpesh është diskutuar për episodet ku kemi rrezikuar. Kur isha lojtar, kam përjetuar mjaft humbje që nuk linin shije të mirë. Nuk do të rishikojmë skemat e lojës, nuk ndryshoj në këtë pikë", deklaroi Ferrara. "Kishte kritika konstruktive dhe të drejta pas eliminimit. Por, nuk munguan rastet kur dikush e teproi. Kjo ‘lojë‘ mua nuk më pëlqen aspak. Jo të gjitha kritikat mund të pranohen. Është diskutuar shumë për skemat dhe taktikat, aq sa më ka ardhur në majë të hundës. Skuadra nuk bën atë që i kërkoj? Në disa ndeshje kemi hasur vështirësi, mund të paraqitemi edhe më mirë". Rreth ndeshjes me Bajernin e Mynihut, ku bardhezinjtë u turpëruan me shifrat 4-1, tekniku tha: "E kemi të qartë se gabuam në ndeshjen kundër Bajernit. Gjithsesi do ta kishim shumë të vështirë që të triumfonim në Champions, pasi aty luajnë skuadra më të kompletuara se ne. Por, nuk ka asnjë dyshim se mund të kualifikoheshim. Nuk bëmë detyrën tonë. E pranuam disfatën dhe duhet të vazhdojmë rrugën tonë. Duhet të reagojmë pikërisht në momente të tilla, duhet të tregojmë kurajë. Lojtarët e kanë të qartë përgjegjësinë kur luan te Juventusi. Nuk mendoj se ndonjë prej tyre mund të kishte frikë përballë Bajernit. Drejtuesit më mbrojtën dhe më konfirmuan në krye të stolit. Nuk kisha dyshime për këtë. E kuptoj se ata e vlerësojnë punën time, edhe pse unë jam në hapat e parë të karrierës dhe duhet të rritem sa më shpejt. Për merkaton e janarit nuk kam kërkesa dhe asnjëherë nuk e kam menduar dorëheqjen".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›