Lufta e Kosovës në faqet e një romani
Ikja dhe kthimi biblik i shqiptarëve të Kosovës në trojet e tyre, në motin e hidhur të 1999-ës, ka qenë një grishje e mjaftueshme për të shkruar një roman. Studiuesi Behar Gjoka ka prezantuar dje, në një takim mes miqsh, romanin e tretë të tij, "Orët e Ringjalljes", botuar nga "Argeta LMG". Ky roman i botuar fill pas një viti nga koha e shkrimit në Prishtinë, është vlerësuar me çmim nga shtëpia botuese "Buzuku", ndërsa vjen 9 vjet më vonë për lexuesin në Shqipëri. Kronika e luftës dhe e njerëzve të saj e prekur nga afër, e fateve të fëmijëve pa fëmijëri dhe e shumë krimeve, ndërhyrja e forcave të NATO-s si një përgjigje e qytetërimit perëndimor ndaj barbarisë serbe, janë spuntoja e shkrimit të këtij romani. "Në 17 kapituj të këtij libri, vetëm sa merret shkas nga lufta, sepse fati i personazheve me lëvizjet e tyren në Shkup, Tiranë apo Prishtinë, më tepër sugjeron shansin e ringjalljes së kombit shqiptar, pra përlindjen e madhe të shqiptarëve në kohët moderne, si një rast unik i të drejtës kombëtare dhe po kaq edhe si një betejë e fituar në emër të të drejtave njerëzore", shprehet autori. Humbja e prindërve të një fëmije 5-6 vjeçar, si dhe mbështetja që ai gjen nga ushtarakët e SHBA-së, Anglisë, Francës dhe Gjermanisë, përbën historinë letrare të këtij teksti. Rrëfimi i larmishëm, situatat e befta që tentojnë rrokjen e tragjikes, e shoqëruar shpesh edhe me notat e një dialogu të ndezur, e shndërrojnë në një tekst që eksperimenton me fjalën, strukturën e romanit, por edhe me sigurimin e personazheve.